Ministrja e Arsimit zyrtarizon shefat e rinj të shërbimeve spitalore në QSUT

schedule12:44 - 14 Shkurt, 2019

schedule 12:44 - 14 Shkurt, 2019

Një ditë pasi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e pyetur nga ABC News për mos zyrtarizimin e shefave të shërbimeve spitalore në QSUT ngarkoi me përgjegjësi homologen e Arsimit, Besa Shahini, kjo e fundit firmosi pjesërisht listën e fituesve.

Nga 41 shërbime spitalore tashmë 32 prej tyre do të kenë drejtuesit e rinj. Pas rreth dy muaj e gjysmë zvarritje të procesit nga Ministrja e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit, ato vunë firmën në një listë të pjesshme.

ABC News ka mësuar se pa u zyrtarizuar kanë mbetur drejtuesit e shërbimeve ku rivali në garë ka paditur procesin në gjykatë. Ndërsa për shërbimet, ku nuk ka pasur garues të kualifikuar konkursi do të rihapet.

Shefave akualë të shërbimeve spitalore iu kishte përfunduar mandati që në Gusht të vitit 2016, kur dhe duhet të ishin mbajtur zgjedhjet e reja. Konkursi u zhvillua vetëm Nëntorin e vitit të shkuar, por ndonëse komisioni i vlerësimit shpalli fituesit po atë muaj dhe njoftoi secilin kandidat, zyrtarizimi i tyre u bë vetëm këtë të enjte./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!