22 vjet pas masakrës shfarrosëse në Sarajevë, Srebrenicë dhe në zona të tjera të Bosnjes, shume nga pasojat e krimeve serbe dhe genocidit, mbeten ende të gjalla në jetët e të mbijetuarve apo pasardhësve të viktimave. Gazetari Idro Seferi ka qenë në Bosnjë, nga ku sjell dëshmi e përjetime të njerëzve që jetuan në atë kohë, si dhe në fshatin serb ku është strehuar Mlladiç, e ku ende ka njerëz që e mbështesin.
Sarajeva.
Ka qenë vendi i rezistencës kundër fashizmit dhe foleja e kulturës jugosllave. Nga filmat më të mirë e deri tek muzika e shkolla e rockut që kulmoi me Bjello Dugmen e Goran Bregoviç dhe Zheljko Bebek dhe filmat e vlerësuar të regjisorit Emir Kusturica.
Viti 1984.
Pak vite para luftës askush nuk e besonte se lufta mund të ishte afër. Qyteti i shumë kulturave e maksimumit të martesave të përziera, të kroatëve katolikë, e myslimanëve boshnjakë, serbëve ortodoksë që jetonin bashkë në një shtet, një gjuhë të ngjashme e që kryesisht i dallon feja. Aty do të zhvilloheshin lojërat olimpike dimërore.
Pak vite më vonë, gjithçka u kthye në një luftë politike. Pas daljes së Sllovenisë me një luftë dyjavore, në ish-Jugosllavi u rritën ambiciet për vetëqeverisje duke braktisur parullën e bashkim vëllazërimit që e propagonte komunizmi dhe mbi çfarë ishte ngritur një shtet 20 milionë banorësh, me gjashtë republika e dy krahina, përfshirë edhe shqiptarët.
Gjithçka nisi pas kërkesës së presidentit Alia Izetbegoviç dhe referendumit për shkeputje. Serbët e kundërshtuan idenë e tillë.
Sarajeva ishte vendi ku ka nisur Lufta e Parë Botërore për shkak të një vrasjeje kur Gavrillo Princip qëlloi Franc ferdinandin e Asutro-Hungarisë.
Një shkrepje gjatë një dasme serbe në qëndër të Sarajevës, kur u vra i ati i dhëndërrit nga persona të panjohur teksa shkonin në kishë, e ndezi luftën 100 vite më vonë.
Qyteti i paqes u vu në shtetrrethim nga serbët që ndjeheshin të kërcënuar dhe kështu ngeli për katër vite.
Në fund të luftës që vazhdonte mes anëve të shumta, kroatëve, myslimanëve, serbëve e grupeve të ndryshme kundër njëra-tjetrës, forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara kishin marrë nën mbrojtje qytetin e Srebrenicës.
Emri e tregon si qytetin e argjendtë dhe që nga kohët romake ekziston. Vend i pasur me shumë fabrika e pasuri.
Kjo qytezë me rreth 30 mijë banorë ishte kthyer në një strehë edhe për myslimanët e vendeve përreth që kishin krijuar edhe kampet e tyre.
Në fund, forcat serbe të kryesuara nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili kryesonte ushtrinë e Republikes Serbe, një krahinë që kontrollohej nga serbët e Bosnjës, i premtuan forcave ndërkombëtare dhe një garnizoni holandez se të gjithë do të evakuuoheshin. Meshkujt kishin nisur rrugën në mal nëpër zona të minuara. Një pjesë e tyre u kapën dhe rreth tetë mijë u vranë.
Qendra memoriale në Srebrenicë titull ka dështimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe turpin që do të ngelet pas. Në hapësirat e ish fabrikave kanë ngelur vetëm rrënoja dhe kujtime të zërave që gumëzhinjë dhe shpirtërave që më nuk duken.
Kjo është festa e holandezëve që arritën të gjallë në Zagreb. Aty ndodhen edhe figurat e ish-presidentit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, të atij serb e jugosllav, Sllobodan Millosheviç dhe të vetë gjeneralit Ratko Mlladiç. Të tre kanë qenë në Hagë. Karaxhiç është shpallur fajtor, Millosheviç ndërroi jetë pa u mbyllur proceset kundër tij për luftën në Bosnjë, Kroaci e Kosovë.
Serbët thonë se në zonë kanë ndodhur masakra kundër tyre dhe janë sulmuar nga myslimanët për vite gjatë luftës. Kjo, thonë një pjesë, i shtyu njerëzit në hakmarrje. Varrezat, megjithatë janë të shumta në Bosnjë dhe duken si fusha të bardha.
Gjurmët e luftës ende nuk mungojnë në shtëpitë për rreth. Lufta ka bërë që shumë njerëz ta braktisin këtë zonë dhe ata që kanë ikur të mos kthehen. Në qytetezë nuk janë kthyer shumë as serbët. Regjistrimi i popullsisë që kaloi me problem nxjerr më shumë, por banorët thonë se në qytet nuk janë mbi një mijë veta.
Lufta ka lënë gjurmë gjithandej, por është i vetmi qytet që në qendër të tij ka ende gërmadha dhe shpresa për jetë duket e zbehur.
Bashkinë pas shumë vitesh tani e udhëheqin serbët. Serbia që në kohën e kryetarit mysliman kishte ndarë donacion 5 milionë euro. I vetmi investim, që duket si për ironi, është asfalti i ri që prej vitesh duke falënderuar Beogradin.
Lufta, megjithatë la më shumë plagë shpirtërore se sa fizike.
Donje Potocare. Një fshat me shumë banorë dikur dhe me pasuri dhe tani qendra e varrezave.
Rruga e fshehur krejt pak nga asfalti çon tek Shuhra Maliç. E zonja e katër shtëpive ka ngelur e vetme.
Para luftës, bashkë me të jetonin edhe katër djemtë dhe vajza. Thotë se u ndanë në kohë dhe kur u panë sërish me një pjesë, vajtuan pjesën tjetër të familjes.
Dy djemtë e saj u ekzekutuan në numrin e madh të atyre që qetë prisnin radhën e vdekjes.
Një u plagos rëndë dhe jeton në Gjermani pas mjekimit. Tjetri i plagosur u zhvendos në Sarajevë pasi biznesi i hotielerisë nuk bëhet pa njerëz.
Gjashtë vjet pas luftës të dy pleqtë u kthyen për të vdekur. Shuhra përcolli të gjithë dhe ngeli e vetme. E paralizuar, megjithatë jeton për të treguar.
Shuhra Malic, viktimë e genocidit: “Kur djemtë tanë shkonin në ushtri dhe ne organizonim ahengun të gjithë vinin nga fshati dhe ne bënim gati e piqnim dema. Kur fëmijët e tyre shkonin në ushtri, se para luftës ka patur shërbim ushtarak, ne shkonim tek ata dhe çonim dhurata e ëmbëlsira. Edhe kur jemi kthyer fqinjët kanë ardhur”.
Atë që ndodhi në Srebrenicë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konsideruar si gjenocid dhe për këtë i ka dhënë vulë. Por Serbinë nuk e ka konsideruar përgjegjëse. Fajtore është quajtur për mos ndalimin e tij.
Shuhra më parë në jetë nuk ka shkuar kurrë as në dyqan e vetme. Shkrim e lexim ka mësuar bashkë me fëmijët e saj për detyrat e shtëpisë. Më vonë është bërë simbol i kërkesave të nënave të Srebrenicës dhe fytyra e saj është përjetësuar në obelisk pasi një fotograf kapi momentin e një mijë dhimbjeve të saj. Ka humbur në luftë mbi 20 familjarë, përfshirë edhe djegien e së motrës.
Shuhra Malic, viktimë e genocidit: “Më vinin shumë njerëz, shtëpia ka qenë plot dhe i ftoja. Bija ime jetonte në Srebrenicë dhe ka ardhur në këmbë me dy fëmijët dhe njërin para e tjetrin prapa në shpinë në një çantë. Në atë kohë nuk përdornim makina. Ka qenë një obelisk me yllin komunist dhe nga aty gjuanin. Këtu kanë qenë të shtrirë të vdekurit nëpër fusha dhe në mbrëmje vinin refugjatët dhe familjarët i grumbullonin dhe varrosnin natën. Nuk e di se kush kanë qenë, ka patur shumë popull dhe shumë i vrisnin nga ai yll në vend me snajper”.
Ju keni ikur vetëm apo bashkë me familjen?
Shuhra Malic, viktimë e genocidit: “Jo çfarë familjeje? Ne kemi shkuar gratë dhe fëmijët aty ku tani është qendra memoriale ka patur shumë njerëz dhe ushtarët holandezë i mblidhnin dhe i fusnin nëpër kamion e autobus dhe u thonin ecni tani. Djemtë e mi kanë shkuar nëpër male nëpër fshatrat këtu për rreth dhe nuk e di se ku i kanë zënë dhe si i kanë vrarë, por kanë shkuar nëpër male dhe jo vetëm djemtë e mij por i gjithë populli dhe meshkujt dhe të gjithë që kanë qenë meshkuj këtu janë vrarë. Këtu kunati im dhe djali i tij janë vrarë në fushë”.
Drejtësia, thotë nuk është kurrë e mjaftueshme dhe gjithmonë flet për të gjitha nënat dhe të gjithë drejtësinë, qoftë serbe apo myslimane.
Shuhra Malic, viktimë e genocidit: “Çfarë të bëj, toka është e fortë për tu futur dhe qielli lart për tu larguar, më vuan lëkura dhe shpirti. E di çfarë do të thotë për një nënë të jetë e vetmuar dhe të mos ketë asnjë njeri për rreth? Këtu është një burrë me shtëpi diku atje poshte në fshat dhe askund asnjë njeri. Të gjithë kanë ikur nuk ka asnjë. Se si jetoj unë se di, por unë nuk do të largohem. Ma la amanet burri të mos shkoj pasi im bir e ka një shtëpi në Sarajevë. Këtu njerëzit janë të mirë, por interesat dhe zënkat e kanë ndarë këtë popull. Të gjithë kanë një Zot dhe një Diell e Hënë, nuk ekziston një Diell i veçantë për myslimanët dhe një për serbët”.
Gjykimi ndaj Ratko Mlladiç ka sjellë në vëmendje sërish Srebrenicën. Por, jeta aty nuk është aq e lehtë. Kjo jo vetëm për shkak të së shkuarës, por edhe mungesës së mundësive për jetë. Disa histori suksesi dhe kryesisht rrëfime lufte.
Camil Durakoviç, ka qenë 16 vjeç në kohën e luftës. I shpëtuar i gjallë ka jetuar në Boston të SHBA dhe është kthyer. Në zgjedhje ka fituar dhe ka qenë kryetar. Por, në atë të fundit humbi nga rivali serb. Dëshiron të qëndroj në Srebrenicë dhe është kritik ndaj të dyja pushteteve. Kritikon Sarajevën dhe pretendon të hyjë edhe një herë në garë për deputet në parlamentin e Republikës Serbe në Banja Lluka.
Camil Durakovic, Lëvizja Odgovor: “Duhet ta sqarojmë së pari të shkuarën. Unë nuk e shoh ende nga asnjëra palë një gatishmëri për ripajtim. Faktet nga e shkuara nuk merren parasysh dhe flitet se kush është fajtor dhe sa është fajtor, si ka filluar dhe kush. Ne këtu, 22 vjet pas kësaj, nuk kemi gatishmëri që e shkuara të bazohet në fakte apo e vërteta në fakte, e jo siç ne e perceptojmë pasi i takojmë një populli apo një populli tjetër. Nuk e shoh që kjo ndodh dhe nëse e shikoni në Bosnjë gjithmonë dy-tre deklarime nga politika mund të ndryshojnë çdo marrëdhënie”.
Ai thotë se Bosnja nuk mund të gjejë paqen e vetme pasi problemet janë të shumta dhe asnjëra palë nuk është shumë e gatshme për të gjetur rrugën e duhur.
Camil Durakovic, Lëvizja Odgovor: “Kam frikë se do të nevojitet edhe shumë kohë që të pjekim vetëdijen dhe të hyjmë në një demokraci më të avancuar, të cilën të gjithë e duam këtu. Fatkeqësisht duhet të them se e vetmja shpresë për këtë është që të hyjmë në procese më serioze siç do të ishte integrimi në Bashkimin Evropian, një familje e shteteve bashkëohore mund të na ndihmonte të kalojmë disa barriera që tani na ngarkojnë dhe nuk mund ti tejkalojmë”.
Në këtë atmosferë e shohin të ardhmen ata pak të rinj të Srebrenicës. Muzikë për të dhënë mesazhin e fundit. Grupi Afera nga Srebrenica, dy serbë dy myslimanë.
MM apo Muamer dhe Mirosllav. Dy miqtë e grupit që i këndojnë qytetit kanë arritur më në fund të kenë hapësirën e tyre. Prej vitesh në hapësira të ndryshme e një qendër rinore organizojnë festivale për të kthyer të rinjtë dhe nostaligjikët në qytet. Në klub vijnë edhe nga qytezat për rreth pasi Bosnja lindore vuan nga mungesa e popullësisë. Egon e lënë jashtë.
Mirosllav Andric, Srebrenica Wave: “Është e vështirë të thuhet se sa njerëz jetojnë në Srebrenicë pasi dokumentet tregojnë një gjë kurse realiteti këtu një gjë krejt tjetër. Këtu kanë ngelur gjithsej qindra të rinj që jetojnë një përditshmëri të përbashkët dhe në thelb kjo është shumë e vështirë pasi nuk ka asnjë të ardhme as në aspektin e punës, por as për tu shoqëruar. Këtu mungon gjithçka. Ajo që mund të them është se të jesh këtu është shumë e vështirë”.
Muamer Civic, Srebrenica Wave: “Ne kemi shkuar në çdo hapësirë që ka qenë e braktisur prej 25 vitesh dhe askush në këto vende nuk është futur. Në shumicën e vendeve kemi qenë të detyruar të pastrojmë para se të luajmë muzikë me bandën. Unë kam patur dëshirë që kjo të ndodhë në Srebrenicë dhe ia kemi dalë pasi shumë njerëz erdhën dhe u bënë pjesë e kësaj energjie sërish për shkak të punës tonë. Kemi luajtur muzikë edhe këtu para se kjo hapësirë të na takonte ne”.
Në Srebrenicë nuk ka njeri pa rrëfime lufte dhe plagë. Të vetëdijshëm që ajo që një pjesë nuk u kujtohet mirë ka peshë të veçantë, thonë se megjithatë duan pak edhe jetë. Si mision personal e kanë marrë ringjallen e një qyteti pothuajse të vdekur.
Mirosllav Andric, Srebrenica Wave: “Realiteti këtu çdo ditë na tregon se është e vështirë t’ia dalim pasi sado që mundohemi ne këtu çdo mungesë në qytet duket sikur mungon diçka dhe të rikujtojnë në atë situatë apo ngjarjet që kanë ndodhur më shumë se 20 vjet më parë. Ne japim gjithçka nga vetja dhe mendoj se jemi të suksesshëm në këtë pjesë. Ne mundohemi ta mbulojmë disi këtë gjë dhe ta anashkalojmë dhe nuk duam të themi që nuk është kështu, por duam të fokusohemi në të ardhmen dhe atë që na përgatitet, për një të nesërme më të mirë”.
Muamer Civic, Srebrenica Wave: “Këtu shumica shohin se kush kënd e ka sulmuar dhe kush është përgjegjës dhe duket sikur të gjithë na shohin ne. Na sheh Serbia, Kroacia e Bosnja. Këtu duan ta dëshmojnë se Srebrenica është shembull e pjesëmarrjes së Serbisë në luftë. Për ne di edhe presidenti i Serbisë dhe shumë të tjerë. Në Srebrenicë vjen edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton. Ai nuk shkon në një qytet tjetër si Travnik. Këtu e dimë ne se diçka e rëndësishme po ndodh, por qyteti si qytet është i vdekur. Këtu gjithçka është vrarë 100 për qind. Gjithçka që ne bëjmë këtu për shumicën e qytetarëve që na thonë miqësisht dhe në sy do të dështojmë. Kemi një shtet me tri shtete. Por, ne duam ta provojmë”.
Me ndihmën e shtetit holandez, birraria e vjetër ngadalë kthehet qytetin në jetë dhe aty do të ndodhë festivali i parë i nëntorit. Por, sa gjatë do të rrijnë kjo nuk dihet.
Në Ballkan gjithmonë ka një “por”.
Natasa Kandic, heroinë dhe tradhëtare. Aktivistja serbe ka marrë vlerësime të larta për punën e saj. Ndër vite ka grumbulluar çdo grimcë dëshmi për të krijuar hartën e krimeve. Kaseta me filmimet arrin në adresën e saj. Dëshmia e parë ku mund të shihej gjithçka.
Kasetën me video e kishte negociuar me televizionin publik. Anëtarët e grupit paraushtarak Shkorpioni që kanë kryer krime edhe në Kosovë ishin arrestuar.
Natasha Kandic, Fondi për të Drejtën Humanitare: “Në këtë televizion në atë kohë janë transmetuar vetëm 18 minuta dhe kjo ka ndodhur pas shumë bisedash pasi më është kërkuar që të gjejë edhe një video ku tregohet se të tjerët vrasin serbët. Por, më pas është transmetuar në televizionin B92 të asaj kohe pasi është treguar është përsëritur disa herë ato ditë dhe kjo ka patur një ndikim të madh në opinionin në Serbi. Kjo ka qenë një situatë e veçantë kur njerëzit në Serbi kanë qenë në anën e viktimave pasi gjithçka dukej në video. Videoja tregon fytyrat e të rinjve dhe të baballarëve të tyre të cilët qetësisht presin momentin e ekzekutimit dhe vetëm një nga ta kërkon një gotë ujë që nuk ia ofrojnë”.
Ajo thotë se politika e kishte dënuar ashpër gjithçka që dukej në video. Të akuzuarit janë shpallur fajtorë vetëm për vrasje.
Natasha Kandic, Fondi për të Drejtën Humanitare: “Politikanët ndryshuan mendimet e tyre në lidhje me këtë krim dhe me njësitin Shkorpionët. Ata u kthyen menjëherë në një grup kriminelësh që janë formuar të pavarur, kanë vjedhur armët dhe uniformat dhe makinat e tyre. Njësiti kthehet në një grup njerëzish që nuk kanë lidhje me shtetin e Serbisë dhe se natyrisht Serbia do të arrestojë të gjithë në territorin e saj dhe do të gjykohen”.
Kandic kritikohet nga serbët se zbulon vetëm krimet serbe. Ditë para vendimit të Gjykatës në Hagë pret dënim maksimal për gjeneralin Mlladiç. Por, thotë se ripajtimi duhet bërë duke rënditur të gjitha faktet.
Natasha Kandic, fondi per te drejten humanitare: “Me Gjykatën e Hagës kemi fituar një dokumentim të pa parë dhe mund të fillojmë duke mos patur pritje të mëdha, por vetëm të vërtetojmë emrat e të gjitha viktimave dhe rrethanave në të cilat kanë humbur jetën mbi 80 mijë civilë e shumë policë e ushtarë. Këtu duhet të fillojë një marrëdhënie e jona ndaj të shkuarës, ti njohim këta njerëz dhe të ndihmojmë të ndërtohet një kujtesë shoqërore në bazë të jetës dhe vdekjes së njerëzve të vërtetë dhe kjo të ngelet e shkruar në histori”.
Në një zyrë në qendër të Beogradit punon Branko Lukiç. Avokati serb e ka mbrojtur klientin e tij Ratko Mlladiç me alibi. Thotë se në kohën e vrasjeve në Srebrenicë ka qenë në Serbi-me fakte.
Branko Lukiç, avokat i Ratko Mlladiç: “Ne jemi mbrojtur në Srebrenicë me faktin e mungesës. Gjenerali Mlladiç nuk ka qenë në Bosnje kur kanë ndodhur vrasjet e anëtarëve të divizionit 28. Ai ka qenë i ftuar me 14 korrik në Tatik dhe është kthyer me 17 në mëngjes kur gjithçka ka qenë punë e kryer. Dikush e ka hequr atë nga Bosnka, dikush e ka larguar pasi e ka ditur se nëse duan të bëjnë diçka atëherë duhet ta largojnë nga Bosnja”.
Ratko Mlladiç, thotë avokati i tij, ka dëgjuar për disa krime, por ushtria nuk ka qenë pjesë e veprimeve të tilla. Gjyqi i Hagës ka dështuar në ripajtimin e rajonit, thotë Llukiç.
Branko Lukiç, avokat i Ratko Mlladiç: “Ai ka menduar se ata njerëz janë çmendur nëse kanë organizuar një gjë të tillë. Asnjë formacion ushtarak nuk ka qenë pjesë e kësaj, por vetëm individë që disa pjesëtarë të shërbimit i kanë ftuar pa u thënë shpesh në çfarë detyrash, por në emër personal. Disa kanë vendosur të shkojnë nga frika për jetën e tyre, por të tjerë nga arsye tjera. Duhet ditur se ka patur mjaft hakmarrje pasi gjatë luftës në Srebrenicë e rrethinë janë vrarë 3500 serbë. Ka patur shumë faktorë. Por, ju siguroj se asnjë nga ta nuk ka qenë gjeneral Mlladiç”.
Ratko Mlladiç, karrierën si ushtarak e kishte ndjekur për shumë vite në Maqedoni. Shumë herë është kërkuar dhe ishte bërë pengesë për Serbinë arratia e tij.
Fshati Llazarevo dikur quhej Llazardorf. Aty jetonin pakica gjermane e Serbisë. Pas Luftës së Dytë shumë serbë nga Bosnja u shpërngulën në këtë zonë.
Në vitin 2011, gjeneral Mlladiç u kap herët në mëngjes dhe përfundimisht. Për adresën e tij ka patur shumë shpërblime deri në 10 milionë euro.
Nipi i tij, Branko, thonë në fshat prej dy vitesh ka ndërruar jetë. Gjyqit të Hagës nuk ia shohin sytë.
VOX/Banori 1: “Duhej liruar. Nuk ka asnjë dëshmi për aq sa flitet 7-8 mijë veta të vrarë. Kjo më duket si një përndjekje politike e gjyqit. Kjo gjykatë është bërë për ne dhe jo për boshnjakët, kroatët apo të tjerët. Shumica e të dënuarve janë serb. Disa janë liruar që të ishte të paktën 10 veta për një”.
VOX/Banori 2: “Asnjë drejtësi. Gjyqi ka dënuar vetëm serbët dhe kanë vdekur nëpër këto burxhe dhe kjo gjykatë është e padrejtë. Kushdo që do ta trashëgojë duhet të mendojë mirë se çfarë do të ndodhë”.
Por, një gjë e dinë gjithmonë në Ballkan paksa me vonesë.
VOX/Banori 3: “Nuk duhej të vinte deri tek lufta në asnjë mënyrë. Kush është fajtor është bisedë e lirë. Por, askujt lufta nuk i ka sjellë asgjë të mirë. As atyre në Bosnje, as atyre në Kroaci e as ne këtu. Ja çfarë ka ndodhur tani dhe jemi vrarë e politikanët janë ata që ishin. Derisa ne luftonim ata rrinin nëpër zyra duke dhënë urdhëra”.
Banorët nuk besojnë se Mlladiç ka kryer krime. Emrin e fshatit si sinonim ia kanë lënë Mlladiçevo në vend të Llazarevo.
Serbia ka miratuar një rezolutë për Srebrenicën, por nuk ka përdorur fjalën gjenocid që duket pengesa kryesore. Shteti serb zyrtarisht nuk ka marrë pjesë as në luftë. Presidenti serb, Boris Tadiç ka qenë i pari të përulet para viktimave. I dyti ka qenë presidenti aktual Aleksandar Vuçiç, i cili edhe që sulmuar në 20 vjetorin e masakrës.
Marrëveshja e Dejtonit ishte e vetmja që bëri palët të ftohin pushkët. Shumica e qytetarëve të Bosnjës kanë dyshtetësi dhe shtet të tyre tamam e konsiderojnë vetëm myslimanët që duket se nuk kanë ku të shkojnë. Kanë përqafuar islamin si fe më shumë se para luftës. Kroatët Bosnjen nuk e ngacmojnë më. Por, nga Mostari ku kryesisht jetojnë, më afër i bie Zagrebi.
Serbët në Banja Lluka idenë e kanë ende për referendum për shkëputje. I vetmi sukses është futbolli.
Presidenti i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, fatin e Bosnjës nuk e sheh se do të mbijetojë pavarësisht nëse ai organizon referendum apo jo.
Marrëveshja e paqes ka krijuar një shtet me tre presidentë, disa kryeministra e dhjetëra qeveri lokale e kantonale e po aq ministra e kryeministra për balanc etnik.
E mërkurë –22 nëntor 2017- dita e gjykimit. Në Zyrat e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd grupi i kolegëve pret verdiktin. Natasha Kandic, e ka patur si betejë personale zbulimin e krimeve.
Ratko Mlladiç është akuzuar në 15 pika dhe gjykimi i tij ka zgjatur gjashtë vjet. Fundi i këtij gjykimi e afron fundin e gjykatës. Kandic thotë se ky fund mund të jetë një fillim i ri.
Trupi gjykues e shpalli gjeneralin Ratko Mlladiç si fajtor për krimet në Bosnjë dhe i dha dënimin maksimal me burgim të përjetshëm./abcnews.al
https://youtu.be/uNp5aeM_Ssw