Hetimet në lidhje me rastin e abuzimit seksual të një 15-vjeçare në Tarazh të Mirditës, ku janë vënë nën akuzë 5 persona nuk janë bërë siç duhet. Në këtë konkluzion ka dalë Gjykata e Lezhës e cila pas disa seancave paraprake gjyqësore e riktheu çështjen, duke urdhëruar prokurorin Ylli Pjeternikaj që të plotësojë hetimet.
Vendimi është marrë nga Gjyqtari Artan Hajredinaj, pasi u njoh me dosjen dhe dëgjoi palët e përfshire në këtë proces.
Lexo edhe: Historia e “dashurisë” u kthye në makth, çohen në gjyq 5 të rinjtë që përdhunuan 15-vjeçaren
Sipas burimeve, dosja ka pasur mangësi, duke ngritur dyshime të arsyeshme se nuk është arritur të provohen plotësisht akuzat për 5 personat e arrestuar në lidhje me këtë çështje.
Kujtojmë se të ndaluarit për këtë ngjarje dyshohet se nëpërmjet shantazhit kane kryer marrëdhënie seksuale me 15-vjeçaren e cila ishte bashkëfshatare e tyre.
Nga hetimet e kryera dhe marrja në pyetje e vajzës thuhet se abuzimi me të ka nisur nga 32-vjeçari Artan Kaçorri, i cili dyshohet se e ka ndjekur, ngacmuar dhe ka mundur të lidhet me vajzën me të cilën ka kryer edhe marrëdhënie seksuale. Madje i ka bërë asaj edhe foto dhe video intime, të cilat u ka shpërndarë edhe 4 të ndaluarve të tjerë mes të cilëve edhe nipit 17 vjeçar.
Sipas organit të akuzës, të arrestuarit kane përdorur fotot dhe videot për ta shantazhuar 15-vjeçaren që të kryente marrëdhënie seksuale. Ngjarja kishte ndodhur për disa muaj me radhë në fshatin Tarazh të Mirditës, deri sa u identifikua nga e ëma e cila së bashku më të bijën bënë edhe denoncimin që vuri në pranga 4 burrat dhe një adoleshent. /abcnews.al/