Vëllai i këngëtares së njohur Sheila Haxhiraj është arrestuar dje nga Policia e Shtetit. Henri Haxhiraj, 34 vjeç ra në pranga gjatë operacionit të koduar “Identiteti” të zhvilluar nga Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë e Forcës Operacionale, DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, së bashku me 3 persona të tjerë.
Haxhiraj dhe 3 të tjerët akuzohen se janë pjesë e një rrjeti që shërbente për prodhimin e dokumenteve të të falsifikuara, mashtrimeve kompjuterike dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Gazeta Shqip raporton se Henri Haxhiraj është vëllai i këngëtares dhe ish-banores së Big Brother VIP Sheila Haxhiraj.
Katër të arrestuarit kanë përfituar shuma të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro nga shtetas të huaj të cilët binin pre e mashtrimit të këtij grupi.
Gjatë operacionit u zbulua një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro.