Shuhet legjenda e Futbollit, Gordon Benks

schedule15:17 - 12 Shkurt, 2019

schedule 15:17 - 12 Shkurt, 2019

Futbolli botëror është në zi për shkak të vdekjes së një legjende. Ish-portieri i Anglisë, Gordon Benks, kampion bote në 1966, u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Humbi një betejë që një ditë do ta humbiste. Gordon Benks, legjenda angleze e portës, u shua në moshën 81-vjeçare pasi lëngoi për një kohë të gjatë nga sëmundja.

Mediat britanike njoftuan me shkronja të zeza humbjen e njërit prej heronjve të Kupës së Botës 1966, Botërorit të vetëm të fituar nga kombëtarja angleze.

Edhe gazetat europiane nuk e harruan legjendarin anglez, i cili ishte i famshëm në të gjithë botën për karrierën e tij të madhe.

“L’Ekip” në Francë apo “La Gazeta delo Sport” në Itali ishin vetëm disa prej tyre.

Benksi pati kulmin e lavdisë në verën e vitit 1966 kur mbrojti portën e Anglisë, në Kupën e Botës, në të cilën doli fitues.

Katër vjet më vonë, ai bëri një pritje ndaj Pelesë, në ndeshjen e humbur 0-1 kundër Brazilit, pritje e cilësuar si më e madhja në historinë e Kupave të Botës.

Ai u shpall gjashtë herë portieri më i mirë i vitit nga FIFA, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Statistikave dhe Historisë së Futbollit e vlerësoi si portierin e dytë më të mirë të shekullit të 20-të, pas legjendës sovjetike, Lev Jashin.

Me kombëtaren e Anglisë, Benksi luajti 73 herë dhe fitoi edhe 8 kampionate të Britanisë së Madhe, një turne I famshëm 100-vjeçar që sot nuk zhvillohet më.

Pavarësisht talentit të madh dhe shkëlqimit me kombëtaren, Benksi nuk luajti për asnjë klub të madh në karrierë.

Ai mbrojti portën e Leisterit dhe Stouk Sitit, duke mos qenë pjesë e gjigandëve si Mançester Junajtid apo Liverpul, një veçanti që sot nuk e ka asnjë portier i madh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!