Sot është dita e fundit e vitit 2021 dhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka ka postuar një “kartolinë” në rrjetin e tij social Facebook.
Duka ka prekur nga pak situatat kryesore gjatë këtij viti dhe gjithashtu në përfundim të kartolinës i ka uruar të gjithëve një 2022 të mbarë dhe të shëndetshëm.
Të dashur miq,
Të nderuar anëtarë të komunitetit të futbollit,
Të dashur tifozë kudo që ndodheni.
Një vit që e filluam pa tifozë në stadiume, me dyshime se sa do zgjasë ky moment i vështire ku kemi humbur të afërm, miq, kolegë dhe anëtarë të nderuar të komunitetit tonë. Por ne ja dolëm. Të gjithë bashkë gjetëm forca dhe i tejkaluam vështirësitë.
U rikthyem! U rikthyem, sepse siҫ e kemi treguar se duke qëndruar bashkë, se duke luftuar bashkë për të njëjtat objektiva, ne i arrijmë të gjitha. Përfunduam ҫdo kompeticion, finalizuam projekte të rëndësishme infrastrukturore, konkretizuam ide për rritjen e mëtejshme të futbollit të fëmijëve dhe femrave që janë themeli i rritjes së qëndrueshme të futbollit shqiptar dhe jemi gati të presim një vit të ri që do jetë kurorëzimi i punës e shumë sakrificave të botës futbollistike shqiptare.
Një vit 2022 ku Shqipëria e bukur do të jetë në qendër të vëmendjes europiane e botërore si mikpritësja e finales së UEFA Europa Conference League. Finale që vjen si shpërblim i punës sonë shumëvjeҫare në reformimin dhe modernizimin e futbollit shqiptar.
Një 2022 ku ne do të investohemi fuqimisht në të gjitha dimensionet për ofrimin e kushteve më të mira ҫdo vajze dhe djali që luan futboll.
Një vit që do konfirmojë edhe një herë se ne që besojmë te puna i bëjmë realitet edhe ato objektiva që për shumëkënd mund të duken utopike.
Në pritje të 2022 dëshiroj ditë të bukura e plot shëndet për ju dhe familjet tuaja.