Lushnje, përroi po përpin tokën

schedule14:59 - 7 Shkurt, 2019

schedule 14:59 - 7 Shkurt, 2019

Në qytetin e Lushnjes, përroi ka shkaktuar dëme të mëdha në rrugën e njërës prej lagjeve. Bashkia ka pezulluar lëvizjen e mjeteve, por nga ana tjetër në disa shtëpi ka krisje të mureve.

Qarkullimi i mjeteve është izoluar. Fillimisht u fundos pjesa ngjitur me hipotekën dhe më pas, ra i gjithë asfalti. Bashkia e Lushnjes, e cila është përgjegjëse e mirëmbajtjes së këtij segmentit ka vendosur perimetrin e sigurisë. Në lagjen “Kadri Qystri”, lëvizja është ndaluar.

“Kjo është një pjesë e rëndësishme e qytetit të Lushnjes. Është një rrugë pothuajse kryesore. Poshtë kësaj rruge kalon përroi i qytetit, i cili ka bërë që të lëvizë shtrati i rrugës, e cila e ka shembur”, tha Gesti Krakulli, drejtor i Shërbimeve në bashki.

Problemet që sjell ky përrua janë shumë. Ndër të derdhen ujërat e zeza, kurse era e rëndë e tyre e ka bërë të padurueshme jetesën e banorëve.

“Grahmë shumë e keqe. Po të vish këtu, të pyetësh të gjithë lagjen ndihet një aromë shumë e keqe. Tërë ujërat e zeza. Sëmundje e tëra është kjo. Nuk pi njeri kafe këtu”.

Përroi i Lushnjes, ndan qytetin mes përmes dhe krahas problemeve të përhershme me ndotjen, tani rrezikohet shembja e objekteve të ngritura mbi të. Shenjat e fundosjes së dherave janë të dukshme edhe pranë kishës. Në disa shtëpi banimi kanë nisur krisjet nëpër mure. Por reagimi ka nisur vetëm në pjesën e rrugës së shembur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!