Muajt e fundit policia instensifikoi kontrollet në të gjithë vendin, për të sekuestruar armë pa leje. Referuar të dhënave të policisë, numri i armëve e municioneve të sekuestruara krahasuar me vitin e kaluar ka qenë i lartë. ABC mëson se në 10 muajt e parë të këtij viti janë bllokuar në total 1066 armë, 231 më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Llojet e armëve janë të ndryshme duke filluar nga pistoletat, granatat deri tek mitrolozët dhe lëndët e tjera eksplozive. Pjesa më e madhe e tyre janë gjetur në ambiente të pabanuara.
Operacioni më i bujshëm ishte ai i zhvilluar në muajin prill, ku në kompleksin Xhura u sekuestrua arsenal i tërë armësh. Në pranga përfunduan 9 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Nga operacioni u zbuluan 18 baza me armë dhe u zbuluan 3 krime të rënda të ndodhura vite më parë në Tiranë.
Kontrollet e policisë për të sekuestruar armë pa leje është kryer kryesisht në vende të mbyllura e në banesat e personave me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e armëmbajtjes dhe veprave të tjera të rënda. /abcnews.al/