Duka, optimist për zgjedhjen në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s

schedule17:04 - 6 Shkurt, 2019

schedule 17:04 - 6 Shkurt, 2019

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të garojë këtë mesjavë, për t’u zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Ai është optimist se këtë herë do të ketë sukses.

Mund të jetë udhëtimi drejt ëndrrës. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shpreson të zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, në Kongresin që zhvillohet këtë mesjavë në Romë. Forumi më i lartë i futbollit europian do të zgjedhë presidentin e ri, dhe po ashtu 8 anëtarë të bordit drejtues, të cilëve u përfundon mandati pikërisht tani.

Duka do të jetë i vetmi kandidat nga ata që humbën 4 vjet më parë, që do të synojë sërish suksesin. Burime në Federatë bëjnë me dijë për ABC News se ai është optimist, por cilat janë arsyet që Duka beson?

Këto burime theksojnë se presidenti ka mbështetjen e federatave të mëdha, si ajo e Anglisë, presidenti i të cilit vizitoi Tiranën pak ditë më parë, apo edhe të Federatës Franceze. Duka është shprehur se edhe federatat e tjera britanike kanë premtuar se do ta votojnë. Që nga fillimi i vitit, presidenti ka qenë vazhdimisht në udhëtim, në një fushatë lobimi të gjatë dhe të fortë.

Katër vjet më parë, ai humbi vetëm për pak vota, ndaj përfaqësuesit të Federatës Turke, por beson se shanset i ka shumë më të mira këtë herë. Nëse Duka do të arrinte të zgjidhej, në Kongresin e kësaj të mërkure, atëherë besohet se ai do të ketë mundësi të lobojë më fort për federatat e vogla në përgjithësi, dhe për atë shqiptare në veçanti./abcnews.al