A do të arrestohet Sali Berisha? Milo: SHBA kthesë me ish-kryeministrin, mund të ndodhë

schedule21:40 - 28 Dhjetor, 2021

schedule 21:40 - 28 Dhjetor, 2021

E ardhmja e PD dhe e dy kundërshtarëve Sali Berisha dhe Lulzim Basha të cilët janë në betejë për drejtimin e partisë, ka qenë temë diskutimi mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” në Abc. A do të arrestohet Berisha? Me këtë pyetje e ka nisur emisionin Endri Xhafo. Analisti Lorenc Vangjeli tha se do ektë hetime mbi Berishën dhe njerëzit e tij të afërt.

“Absurdi s’ka logjikë dhe është e vështirë njësoj si të parashikosh lëvizjen e mizave në ajër. Disa gjëra të cilat nëse i shikon më vëmendje dhe nëse njeh mirë të shkuarën dhe protagonistët njihen mirë çfarë lëvizje bën me këmbën e djathtë Berisha… të gjithë këto elementë e bëjnë ekuacionin më të lehtë. Do ketë hetime mbi Berishën dhe njerëz afër tij, hetime që janë penguar edhe për shkak të foltores. Ka një histori në 98, duket e largët. Një hetim i një prokurorie të pavarur arrestoi 6 ish zyrtarë të PD. Ajo ishte një nga ngjarjet që pasoi dramat të cilat i vuajmë dhe sot”, tha Vangjeli.

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo bërë një paralelizëm duke thënë se në fillimet e Berishës, kishte me vete ndërkombëtarët, ndërsa sot ndodh krejt e kundërta. Duke përmendur dhe vizitën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, Gabriel Escobar në Tiranë, Milo thotë se edhe mund të ndodhë arrestimi i Berishës.

“ Në 1998 organet e drejtësisë së asaj kohe synonin ose kishin ndërmend të bënin një akt të tillë mbështetur në ngjarjet e shtatorit për atë që u quajt grusht shteti. Atëherë kishte presion të madh që të mos vihej dorë mbi  Berishën, sot ndodh e kundërta. Kemi një diferencë 180 kthesë në qëndrim ndërkombëtar ndaj Berishës.  Duke pasur parasysh atë fabulën që është tjerrur meqë erdhi Escobar mund të ndodhë një gjë e tillë me Berishën”.

Një mendim ndryshe ka ish-deputeti i PD Sherefedin Shehu dhe analisti Neritan Alibali. Shehu tha se Berisha nuk do të hetohet me argumentin se drejtësia shqiptarë nëse do kishte indicie do ta kishte bërë një gjë të tillë më herët.

“ Institucionet shqiptare kanë qenë këtu për ta hetuar dhe dënuar Berishën, dhe për faktin që s’u bë atëherë do ishte manifestim i dobësisë… Kjo është situatë për të zhvendosur vëmendjen siç ndodh rëndom në politikën shqiptare, të përhapim këtë thashethemin këtej, me qëllim që njerëzit të përqendrohen dhe të merren me këtë gjë. Unë mendoj se nuk do ketë as hetime”.

“ Shqiptarët kanë qejf të shohin pranga e njerëz nëpër burgje. Deri tani për Berishën s’ka pasur hetime, mendoj se vetëm mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm mund të ketë hetime. Fabula e arrestimit ka njëmijë arsye, që ditën e parë kur hyn në politikë njerëzit kanë të drejtë të thonë shkeli ligjin…. Unë mendoj që për vitin 2022 s’do ketë hetim për Berishën”, tha Alibali. be.k/abcnews.al