Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka emëruar shtatë ambasadorë të rinj në mesin e tyre edhe ambasadorin për Kosovën. Sipas gazetës “Jerusalem Post”, ambasadori i Izraelit për Kosovë është Tamar Ziv. Kjo është një ngjarje historike pasi Tamar Ziv bëhet ambasadori i parë i Izraelit në Kosovë.
Më 1 shkurt të këtij viti Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike si derivat i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, në të cilën Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës. Kushti i Izraelit për njohje të pavarësisë së Kosovës ishte që ambasada të hapet në Jerusalem. Kosova ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem dhe e ngarkuara me punë atje është Ines Demiri.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike u cilësua nga të dyja vendet si historik dhe ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në mënyrë virtuale. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi. Në ceremoninë virtuale të nënshkrimit morën pjesë edhe Nënsekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Jerusalem. Ministri i Jashtëm i Izraelit Gabriel Ashkenazi, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovës e cilësoi si një datë historike. /abcnews.al