Ministria e Drejtësisë ka bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares së shkarkuar nga Vetting-u, Klorinda Çela.
Ka qenë vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili ka bërë të ditur këtë kallëzim duke thënë se Klorinda Çela, vetëm pak dit para se të shkarkohej, ka bërë veprime skandaloze dhe abuzive me detyrën e si gjykatëse. Manja ka shpjeguar edhe rastin konkret të përplasjes me gjyqtaren Çela duke thënë se kjo e fundit ka bllokuar një investim madhor të qeverisë me vendimmarrjen e saj.
Ka qenë njësia Antikorrupsion e Ministrit të Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit, që i kërkojnë SPAK-ut marrjen si të pandehur të gjykatëses.
“Jam me avokatin e shtetit, për të informuar publikut me një rast skandaloz të abuzimit me detyrën e gjykatësit, gjykatësja K.Ç, në gjykatën civile të Tiranës ka lënë të shkruar në formën e një thirrje nga drejtësia vendimin për të marrë peng fëmijët e kryeqytetit dhe me fëmijët e tyre, që qeveria i ka premtuar një qendre të re, me teatër kukullash, në hyrje të Liqenit të Tiranës, te Garda e Republikës, spostimi i gardës dhe hapja për fëmijët dhe bibliotekës, bëhet fjalë për një truall të shtetit, janë përgatitur projekt idetë për fillimin e saj, mirëpo gjykatësja K.Ç ka pasur një mendim tjetër, kur aspo ministria bëhet gati të nis punën, prona e shtetit na del me barrë. pala paditëse në tejkalim të asaj që i kalon me ligj kërkon masa sigurimi deri sa të shqyrtohet në themel, kundër ishte avokatura e shtetit, këshilli i ministrave, ministria e kulturës, gjykata nuk e shqyrtoi kërkesën, përcaktoi si datë 18 nëntor 2021, për zhvillim seance normale ku do të thirrej dhe ministria e kulturës, gjyqtarja i njoftoi të gjithë për këtë datë, ndërkohë që bëheshin gati për këtë seancë, në 21.10.2021 gjykata disponoi një vendimarrje për sigurim padie pa palët.” tha mes të tjerash Ulsi Manja.
Gjyqtarja në fjalë u denoncua edhe nga vetë kryeministri Edi Rama 4 ditë më parë. Edhe pse Rama zgjodhi të mos I përmend emrin deklaroi se ka prokurorë dhe gjyqtarë që marrin vendime të paligjshme edhe kur nuk kanë kaluar procesin e vettingut.
Ndëkrohë, Klorinda Çela u përball me Vetingun për tre kriteret e vlerësimi, atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional më 25 tetor 2021, teksa vendimi u dha më 28 tetor.
Trupa Gjykuese pasi analizoi provat dhe faktet, vendosi shkarkimin nga detyra të Klorinda Çelës, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
/abcnews.al/

