Krimi në vend, Kryeprokurori Çela zbulon mesazhin ndaj prokurorëve

schedule12:21 - 28 Dhjetor, 2021

schedule 12:21 - 28 Dhjetor, 2021

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, pas prezantimit të hartës së re Gjyqësore, para gazetarëve është ndalur edhe tek ngjarjet kriminale të ndodhur vazhdimisht në vendin tonë.

Çela para kamerave u ka dërguar edhe një mesazh prokurorëve duke apeluar që të tregojnë vëmendje maksimale dhe të  bashkëveprojnë me SPAK-un.

“Prokurorët kanë pasur mbështetjen të veprojnë në përputhje me ligjin. Kanë pasur mbështetjen e të gjitha strukturave, jo vetëm të Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe strukturave të Policisë së Shtetit. Me gjithë vështirësitë që kemi sot për sa i përket përballimit të ngarkesës, mesazhi që iu është dhënë prokurorive është që të vlerësojnë maksimalisht ngjarjet e rënda, ngjarjet që kërkojnë një angazhim të një niveli tjetër. Patjetër në të gjitha rastet e rënda ka nevojë për një bashkëveprim me SPAK për të vlerësuar elementët e krimit të organizuar. Ju siguroj se prokuroria vazhdon të kryejë plotësisht funksionet e veta kushtetuese dhe ligjore”, tha kryeprokurori Çela.

Duke u kthyer tek harta e re Gjyqësore, Çela ka vlerësuar në opinionin e tij se ka një domosdoshmëri për këtë ndryshim.

 “Ka domosdoshmëri për hartën gjyqësore. Nevoja sot është ekstreme, për shkak të reformës në drejtësi që po zbatohet sot, procesit të Vettingut. Kemi një numër gjithnjë e më të paktë të magjistratëve në disa nga gjykatat e prokuroritë kryesore. Te prokuroria problemi është i mprehtë në shumë prej tashmë, ndaj harta është domosdoshmëri për të pritur deri në plotësimin e sistemit me magjistratë. Ndaj kjo është e vetmja zgjidhje. Së dyti, sa i përket infrastrukturës, mendoj se ka opsione për zgjidhje. Mendoj se mund të përballohet në fazën aktuale me përdorimin e godinave, që mund të jenë të disponueshme. Ne do të bashkëpunojmë me KLGJ, apo ministrin e Drejtësisë. Besoj se do të kemi mbështetjen e plotë, që do të sigurohen nevojat e prokurorisë, të paktën në fazën kalimtare, derisa në një plan afatgjatë të vlerësojmë edhe nevojat për ndërtimin e godinave të reja. Këto janë çështje që ngelen për t’u zgjidhur, por e nevojshme në planin afatshkurtër nevojat imediate mendoj se mund të realizohen dhe prokuroritë do të kenë infrastrukturën e nevojshme për të ushtruar detyrën”. tha Çela. /abcnews.al/