Shoqëria Show Bizz-it!

schedule11:53 - 27 Dhjetor, 2021

schedule 11:53 - 27 Dhjetor, 2021

Nga Lutfi Dervishi

Publikimi listave të pagave vuri në qendër të prozhektorëve gabimisht edhe pagat e gazetarëve!

Them gabimisht pasi lajmet për paga të larta janë jo për gazetarët, por për disa moderatore dhe për më tepër moderatore nga bota show-bizz/politikës.

Gazetarët ata që gërmojnë informacionin, që raportojnë nga terreni, që bëjnë gazetari cilesore/hulumtuese me përjashtime shumë të vogla jetojnë me paga diskriminuese!

Kur ndodh një ngjarje e madhe tërmet, pandemi, zgjedhje, ngjarje e jashtzakonshme të gjithe ne bëhemi sy e veshë për të mësuar se çfarë ka ndodhur? E imagjinoni sikur gazetarët e terrenit të shpallnin grevë a do të pranonit të informoheshit për ngjarje të mëdha e të rëndësishme nga show bizz-it?

Në gazetari tashmë prej dekadash është ngulitur modeli/miti i gabuar! Këtu është miti opinionistit/analistit/komentatorit dhe jo miti reporterit!

Kur pyet studentët e gazetarisë për modelin që kanë në kokë të përmendin emra nga televizioni dhe jo emra gazetarësh!

Por nuk është ky problem vetëm në media. Kjo do të ishte gjysma e së keqës!

Duke parë profilin e këshilltarëve (jo në Shqipëri) profili i tyre është interesant:

1.Urbanizmi e transporti.

2.Ekonomia e tregjet.

3-Shkollat.

4-Shëndetësia.

5-Strehimi.

6-Fatkeqesitë natyrore e industriale.

7-Parandimi i krimit.

8-Turizmi, kultura dhe rinia.

Mjafton të hapësh Instagramin (jo CV) të këshilltarëve të punësuar këtu dhe profili është: show-bizz!

Dukja, pamja e jashtme, fasada kanë rëndësi, por këtu “imazhi” ka marrë rëndësi groteske!

Debati për rrogat do të vijojë, por debati i vërtetë për vlerat, për punën, për interesin publik nuk ka nisur ende!

Deri më tani është quajtur skandal rrjedhja e informacionit, por SKANDAL është dhe mekanizmi që nuk ka funksionuar dhe piramida e vlerave/vlerësimeve!

Ka një dallim thelbësor mes interesit të publikut dhe interesant për publikun! Tani për tani po “paguajmë” për oreksin që kemi që media dhe pushteti të na servirin jo gjëra me interes, por gjëra interesante!

Në Romën e lashtë formula e pushtetmbajtesve ishte me dy elemente: bukë dhe cirk!

Sot publiku ka tri elemente: cirk, cirk, cirk (përndryshe: Instagram, Facebook, tik tok). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!