Autoritetet ruse bllokuan ueb-faqen e organizatës, OVD-Info, ndryshe vëzhgues i njohur në vend i të drejtave të njeriut që përcjell përndjekjet politike.
Sipas kësaj organizate, autoritetet ruse në këtë mënyrë vazhdojnë të shtypin disidentët.
Në anën tjetër, Gjykata Supreme ruse është duke shqyrtuar mundësinë e mbylljes së organizatës tjetër për të drejtat e njeriut, Memorial, e cila po ashtu bashkëpunon me OVD-Info.
OVD-Info, e cila përcjellë protestat e opozitës dhe ofron mbështetje ligjore për viktimat e përndjekjes politike njoftoi se Rregullatori rus për Media bllokoi ueb-faqen e saj në fillim të javës.
“Aktualisht nuk kemi marrë kurrfarë njoftimi dhe nuk e dimë arsyen përse është bllokuar ueb-faqja”, shkroi organizata në një postim në Twitter.
Në regjistrin e ueb-faqeve të bllokuara shkruan se Gjykata e Qarkut në Moskë më 20 dhjetor mori vendimin që “të limitohet” qasja në ueb-faqe. Por, më 25 dhjetor ueb-faqja nuk ishte e qasshme.
Përndryshe viti 2021, shënoi shtypjen historike të opozitës dhe mediave të pavarura në Rusi duke filluar nga burgosja e kritikut më të madh të Kremlinit, Alexei Navalny.
Në muajin shtator, Ministria ruse e Drejtësisë shtoi organizatën OVD-Info në listën e “agjentëve të huaj”, term ky nga epoka sovjetike, derisa organizata e përshkroi këtë vendim si “presion politik”.
Prokurorët rusë, akuzojnë organizatat për të drejtat e njeriut për shkelje të ligjeve dhe arsyetim të terrorizmit duke publikuar lista me të burgosur politikë që përfshijnë edhe figura të kundërshtuara nga autoritetet ruse sikurse, Navalny./REL