Kukësi lëshon sinjale të qarta për titullin kampion. Pas barazimit në javën e kaluar, veri lindorët fituan në transfertën delikate të Vlorës me shifrat 2-1. Një ndeshje që pati gjithçka, gola, raste të dyshimta dhe mbi të gjitha një lojë spektakolare. Kukësi kaloi në avantazh në minutën e 9 të takimit. Ehemi shfrytëzon saktë dalien e gabuar të portierit Koliçi dhe dërgon lehtësisht topin në rrjetë. Vlonjatët në disavantazh dhe hidhen në kërkim të golit të barazimit. Në minuten e 33, Kotobelli kroson drejt zonës me Pollozhanin, që i rrëmben kohën mbrojtjes së kukësit dhe vendos baraspeshën. Gjithsesi barazimi i vendasve zgjat fare pak pasi blerja e merkatos së janarit, Rroca kalon për herë të dytë në avantazh Kukësin. 25 vjeçari shënoi nga një kënd shumë i vështirë me topin qëe mori një trajektore të çuditshme të ndihmuar nga era. Një gol që ia vlen të rishihet. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e miqve. Fillimi i fraksionit të dytë të lojës nis me episode. Pollozhani shënon një supergol me roveshatë, por gjyqtari e anulon për lojë të rrezikshme çka solli protestat e futbollistëve vlonjatë. Në të 83 minuta, Kukësi shkon shumë pranë golit të trete. Melo lëshon një goditje potente, por topi ndalet në shtyllë. Gjyqtari akordon pesë muinuta shtesë, por rezultati mbetet I pandryshuar. Kukësi merr tre pikë të arta dhe ngushton diferencën me Partizanin kryesues në vetëm dy pikë. Ndërkohë që Flamurtari pozicinohet në mesin e tabelës në kuotën e 29 pikëve. /abcnews.al
Kukësi fitoi ndaj Flamurtarit me shifrat e ngushta 2-1
schedule20:59 - 2 Shkurt, 2019
schedule 20:59 - 2 Shkurt, 2019