Kraja: SPAK në janar me 17 prokurorë, në prill 2022 plotësohet struktura e BKH

schedule11:19 - 20 Dhjetor, 2021

schedule 11:19 - 20 Dhjetor, 2021

Kreu i SPAK Arben Kraja ka deklaruar se në Prill të vitit 2022 do të plotësohet struktura e Byrosë Kombëtare të Hetimit me 32 anëtarë. Ai tha se në muajin Janar SPAK do bëhet me 17 prokurorë. Në ceremoninë e zhvilluar sot për shpërndarjen e certifikatave, Kraja deklaroi se në SPAK është ngritur qendra e përgjimeve dhe laboratori digjital.

“Para dy vitesh ishim vetëm 8 prokurorë, në janar bëhemi 17. Në muaj prill të vitit të ardhshëm presim të plotësohet struktura e BKH me 32 hetuesit e grupit të dytë. Kemi ngritur në SPAK qendrën e përgjimeve dhe laborator digjital”, u shpreh Kraja.

Kraja iu përgjigj edhe kritikëve në lidhje me punën e prokurorëve të SPAK. “Edhe ata qe na kritikonin tani duan të na ngarkojnë detyra shtesë. Kjo është shenjë e rritjes së besimit”, tha Kraja.

Teksa foli për bashkëpunimin me institucionet shqiptare dhe partnerët strategjikë, Kraja deklaroi se vendimmarrja e SPAk mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas.

“Kemi pasur 891 procedime penale, kemi dërguar 432 të pandehur për gjykim, ku për mbi 200 kemi marrë vendim. Kemi konfiskuar 62 pasuri me një vlerë mbi 75 milionë euro. Kemi 143 letërporosi nga autoritetet e huaja, 85 prej të cilave janë ekzekutuar, si dhe 17 kërkesa për ekstradim. Më lejoni të them se vendimmarrja jonë mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas më”, u shpreh Kraja.

Kemi pasur suportin edhe të BE dhe shteteve anëtare këtu përmes misionit Euralius që na na kanë asistuar edhe në raste konkrete. Çdo gjë që jepet do përdoret për atë qëllim që është dhënë. Ajo që po mundohemi të bëjmë është një kombinim mes dy strukturave që mbështesin SPAK për të ecur para”, deklaroi ai.

Ndërsa kreu i BKH Aida Hajnaj tha se BKH nuk do ketë hetues të mirë dhe shumë të mirë por vetëm të shkëlqyer.

“Ngritja e një strukture të re mban çdo sfida. Objekti do jetë forcimi dhe garantimi se në BKH nuk do ketë këtë hetues të mirë dhe shumë të mirë por vetëm hetues të shkëlqyer. Përmbyllja e moduleve të trajnimit dhe certifikimit të sotëm është vetëm prova e radhës”, tha Hajnaj. m.v/Abcnews.al