RENEA e Garda në tarracën e PD? Rama: Unë e policia s’kemi lidhje me kacafytjen e dy kufomave politike

schedule22:26 - 18 Dhjetor, 2021

schedule 22:26 - 18 Dhjetor, 2021

Kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje akuzave të bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha për prani të RENEA-s dhe Gardës në tarracën e godinës së Selisë Blu. Në një postim në llogarinë e tij në Tëitter, kreu i qeverisë shkruan se ai vetë dhe Policia e Shtetit nuk kanë asnjë punë me ato që i cilësoi si “kacafytje të dy kufomave politike.”

Pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka për aferën e inceneratorëve të shumta kanë qenë akuzat ndaj Edi Ramës si përgjegjësi kryesor, por kryeministri përdor pikërisht termin “incenerator” për t’i thënë Bashës dhe Berishës që e kanë përfshirë Partinë Demokratike në marrëzinë e tyre.

EDI RAMA NË TWITTER

“Unë s’kam asnjë punë me kacafytjen e dy kufomave politike njëra grata tjetra nongrata që e kanë futur Partinë Demokratike në inceneratorin e marrëzisë së tyre. Policia e Shtetit jo e jo që nuk ka asnjë lidhje me tymin e marrëzisë që po djeg PD. Keqardhje për demokratët e thjeshtë!”

Akuzat për prani të Gardës dhe RENEA-s në ambientet e PD-së i bëri ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e mbajtur pas mbylljes së procesit të numërimit të votave të Referendumit.

Berisha i bëri thirrje kryeministrit që të mos e vërë gardën në dispozicion të PD-së pasi detyra e saj është të ruaje rendin dhe qetësinë. Pretendimet për prani të policisë në Selinë Blu i hodhi poshtë edhe kryedemokrati, i cili tha se PD është shtëpia e lirisë dhe nuk ka nevojë për mbrojtje. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!