Kjo periudhë e ftohtë e vitit përkeqëson shëndetin e personave që vuajnë nga alergjitë, apo nga azma. Shpesh ankohen për hundët e bllokuara, kollë apo edhe vështirësi në frymëmarrje. Mjekja alergologe e spitalit Hygeia, Maria Zoto tregon se çfarë pasojash ka në shëndetin e këtyre pacientëve moti i ftohtë.
“I ftohti i këtyre ditëve është faktor rëndues për ato me alergji dhe azmën. Ajri i ftohtë që hyn në rrugët e frymëmarrjes ndikon në bllokimin që nga hundët deri në bronke dhe do të shtohen dhe simptomat hundë të bllokuara, kollë dhe deri në frymëmarrje. Raportimet e pacientëve konfirmojnë se simptomat e tyre shtohen në këtë periudhë. Dhe fakti që ne jemi më shumë në ambiente të mbyllura dhe rrinë më shumë me alergenët e brendshëm shtohen simptomat”, është shprehur mjekja.
Ajo ka disa këshilla për personat alergjik.
“Kur dalin në orët më të ftohta të ditës të mbajnë një shall të mbulojnë hundën dhe gojën që ajri të ngrohet disi. Përveç se mund të mbrohen pak nga ambienti është normale që nuk mund të mbrohen plotësisht, është rëndësishme që të mbajnë nën kontroll azmën”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Medikamentet për pacientët alergjik përshkruhen që me nisjen e stinës së vjeshtës, në mënyrë që ta mbajnë nën kontroll gjendjen e tyre shëndetësore./abcnews.al