Gjykata e lartë në Danimarkë ka dënuar me 60 ditë burg ish ministren për emigracionin dhe integrimin Inger Stoejberg, e cila u shpall fajtore se ka ndarë me forcë më shumë se 20 çifte të reja refugjatësh apo azilkërkuesish të cilët ishin të martuar, shkruan BBC
Ngjarjet kanë ndodhur në vitin 2016. Vendimi mund të komprometojë karrierën politike të Stoejberg, e cila është 48 vjeç dhe është një nga më të preferuarat për t’u emëruar lidere e partisë liverale Venstre. Procesi gjyqësor konsiderohet i rrallë dhe politikë i pari në 30 vjet dhe i gjashti në historinë e Danimarkës, ku kërkohet pezullimi nga posti i një zyrtari politik danez.
Stoejberg ka qenë ministre në periudhën 2015 – 2019, në qeverinë liberale të kryeministrit Lars Rasmusen, e mbështetur nga partia e Popullit Danez e së djathtës dhe me qëndrime radikale për sa i përket temës së emigracionit.
Gjatë mandatit të saj, Stoejberg aplikoi politika shumë të ashpra për emigracionin dhe miratoi kufizime të reja për refugjatët dhe azilkërkuesit. Mes tyre ishte dhe ai i hyrë në fuqi në shkurt të 2016-ës, që detyronte 23 çifte minorenesh, të martuar, që të jetonin të ndarë. Norma u anulua disa muaj më pas, raporton abcnews.al
Në muajin shkurt të këtij viti Stojeberg dha dorëheqjen nga posti i zv/kryetares së partisë pasi disa deputetë votuan për shkarkimin e saj. Ajo ka kundërshtuar akuzat duke thënë se norma shërbente për të mbrojtur vajzat minorene nga martesa që kishin ndodhur para mbushjes së moshës ligjore. Ajo aktualisht është deputete e pavarur e parlamentit danez i cili do të votojë për të vendosur nëse ajo mund të jetë ende pjesë e tij
Mes normave kontroverse të miratuara gjatë mandatit të saj, ishte dhe ajo e konfiskimit të pasurive të emigrantëve, të detyruar të linin sendet dhe bizhuteritë me vlerë deri në shifrën 1300 euro për të kontribuar në shpenzimet e mbajtjes së tyre dhe dokumentacioneve për të kërkuar azil.
/abcnews.al