Kreu i PD Lulzim Basha ka reaguar pas përplasjeve të zhvilluara në selinë e PD ku ishte i pranishëm Sali Berisha me mbështetësit e tij.
Në një komunikim me gazetarët nga selia blu, Basha deklaroi se Berisha po përpiqet të rikthejë skenat e vitit 1997 në shtëpinë e lirisë sipas tij me gjuhën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave.
Rikthimin e Berishës në selinë blu dy ditë pas Kuvendit të 11 Dhjetorit, Basha e cilësoi si një spektakël të shëmtuar të së kaluarës që PD ka vendosur ta lërë pas.
“Në përpjekjet e tij qesharake për të na rikthyer skenat e 97 këtu në shtëpinë e lirisë me gjuhën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave. Ky ishte një spektakël i shëmtuar i të së kaluarës, i asaj të kaluare që PD ka vendosur ta lërë pas“, tha Basha.
Teksa Basha e konsideroi atë mbledhje një shfaqje të turpshme tha se Sali Berisha “është një Burracak i cili si ish-komunist i vjetër me propagandë, me mashtrime dhe gënjeshtra është gati të thërrmojë e të shkatërrojë gjithçka edhe fëmijë e vet politik”.
Basha u shpreh se Berisha nuk ka për të marrë peng shumicën e demokratëve. Ai theksoi se paraqitja e Komisionit të Rithemelimit dhe e vetë Berishës në PD ishte provokim, por ai dhe deputetët e tij nuk ranë pre e tij. be.k/abcnews.al