Fushë-Kruja është tronditur gjatë natës nga dy shpërthime me tritol të cilat ndodhën në të njëjtën kohë. Eksplozivi ishte vendosur në makinën e një polici të burgut të Zaharisë në Krujë dhe në një mobileri në fshatin Nikël. Policia ka arrestuar dy nga autorët e vendosjes së tritolit në mobileri dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë për këtë ngjarje. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Një sasi tritoli ka shperthyer në garazhin ku ndodhej makina e një polici në Fushë-Krujë. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Ngjarja ndodhi rreth ores 23:30. Shpërthimi alarmoi edhe banorët e zonës. Mjeti është në pronesi të Përparim Çengës. Kjo është hera e dytë që i vendoset tritol makinës së tij. Ai ka punuar për disa vite si efektiv në komisariatin e Krujës dhe aktualisht ushtron detyrën si polic në burgun e Zaharisë.
Mendohet se sasia e tritolit ka qenë mbi 150 gramë. Policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve. Një pistë që po hetohet është për shkak të detyrës.
Pothuasje në të njëtën orë një tjetër shpërthim me eksploziv ka ndodhur në një mobileri në fshatin Nikël të Fushë-Krujës. Lënda plasëse, rreth 200 gramë, ishte vendosur në katin e parë të ndërtesës ku janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Kurse në katin e tretë të objektit banojnë pronarët e mobilerisë. Blutë e Krujës kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë se objektit të cilat mund të ndihmojnë hetuesit në zbulimin e identitetit të autorit./abcnews.al