Basha: Me zor e kemi pritur fitoren. Mbijetesa? Kam besim, do ia dalim

schedule16:43 - 12 Dhjetor, 2021

schedule 16:43 - 12 Dhjetor, 2021

Kastrioti doli fitues në takimin e luajtur ndaj Egnatias në Kamëz, një sfidë që luhej për mbijetesë duke pasur parasysh edhe pozicionet e skuadrave në tabelën e klasifikimit.

Goli i vetëm i takimit është shënuar nga Spartak Ajazi në minutën e 61, duke i dhënë skuadrës së tij 3 pikë shumë të rëndësishme.

Lojtari i ndeshjes është zgjedhur edhe njeriu asist i golit, Arbër Basha, i cili dha pasin e fundit për Ajazin që ky i fundit nuk e kishte të vështirë të shënonte.

“Me zor e kemi pritur fitoren. Kemi punuar gjatë gjithë javës dhe jemi fokusuar shumë te ekipet që i kemi rivalë direktë. Jemi shumë të gëzuar. Luftuam shumë, terreni i vështirë na uli rendimentin e lojës. Por, nuk mungoi agresiviteti dhe shpirti i garës.

Detyrë e posaçme? Na e kishte kërkuar trajneri që të ishim agresivë sepse s’e kemi bërë në lojërat e fundit. Siç dihet ne jemi ekip shumë agresiv dhe kjo ndeshje e tregoi.

Ecuria? Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Fokusin e kemi në javën e ardhshme në Korçë. Për momentin le të festojmë dhe pastaj t’i marrim gjërat me radhë.

Mbijetesa? Unë kam shumë besim te ekipi sepse edhe kur kemi humbur, kemi luajtur mirë. Por, duhet t’i marrim ndeshjet me radhë për të bërë maksimumin. Unë jam shumë optimist, jemi të motivuar. Shpresoj të marrim një rezultat pozitiv që nga java tjetër me Korçën”, është shprehur mesfushori i Kastriotit.  /f.a/abcnews.al