Mjediset e një prej shkollave të mesme në Tiranë në orët e pasdites do t’i vihen në dispozicon Fakultetit të Drejtësisë në mënyrë që studentët të zhvillojnë mësim. “Ismail Qemali” dhe “Eqerem Çabej” janë dy gjimnazet që përfliten ndërkohë që përjashtohet “Petro Nini Luarasi” për të shkak të afërsisë me mjediset e fakultetit ku qëndron i ngujuar grupi tjetër i studentëve që kërkojnë anulimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Mungon ende një përgjigje zyrtare nga Ministria e Arsimit, por studentët që kërkojnë t’i rikthehen mësimit thonë se janë të gatshëm që leksionet dhe seminaret t’i nisin në çdo mjedis të mundshëm.
Grupi tjetër i studentëve po vijon ngujimin në mjediset e fakultetit të Drejtësisë. Hyrja për në auditore vazhdon të mbahet e mbyllur. Ligji për Arsimin e Lartë ngarkon me përgjegjësi Rektorin e Universitetit të Tiranës, si titullar I tij, për të zgjidhur situatën dhe garantuar paprekshmërinë e institucionit. Statuti i Universiteti të Tiranës sugjeron ndërhyrjen e policisë.
Neni 34 pika gje e tij thotë; “Rektori autorizon në rast nevoje ndërhyrjen e forcave të rendit në mjediset universitare”.
Neni 39 pika sh;“Administratori autorizon në rast nevoje ndërhyrjen e forcave të rendit në mjediset universitare”.
Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni takoi dy grupet e studentëve në Fakultetin e Drejtësisë, por ndonëse kanë kaluar katër ditë ende nuk ka dalë me një vendim. Ne tentuam të merrnim një përgjigje prej Rektorit Koni, por ai refuzoi të bisedojë për këtë çështje.
Ndërkohë drejtori i Komunikimit në Rektorat tha se po punohet për gjetjen e një zgjidhje ndërkohë që përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes së policisë në Fakultetin e Drejtësisë. “Abc news” tentoi të merrte një përgjigje dhe nga Administratori i Universitetit të Tiranës, por dhe ai refuzoi të fliste./abcnews.al