Po i jepen “duart e fundit” skenës së improvizuar ku do të mbahet nesër Kuvendit i Partisë Demokratike, thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha me firmat e delegatëve. Gazetari Artan Hoxha ka siguruar për Abcnews.al pamjet nga stadiumi “Air Albania”. Siç shihet duket se gjithçka është thuajse gati, ku është ngritur skena dhe janë vendosur posterat.
Sjellim në vëmendje se nuk është hera e parë që stadiumi “Air Albania” po përdoret jo për ngjarje sportive, për të cilin është edhe qëllimi i tij. Stadiumi është përdorur nga PS për mbajtjen e Kongresit disa muaj më parë, është përdorur gjithashtu edhe për vaksinimin kundër Covid dhe së fundmi u kthye në “Foltore”. Mësohet se tribunat Vip nesër do të jenë të rezervuara për delegatët. Sakaq, pajisjet janë vendosur në fushë dhe kjo e fundit mund të dëmtohet, ndërsa derbi Tirana-Dinamo luhet në datë 13.
Nga ana tjetër, teksa përgatitjet po mbarojnë, në një mesazh, pasditen e sotme, ish-kryeministri Sali Berisha dha edhe porositë e fundit. Lideri historik i demokratëve teksa e cilësoi si rithemelim të PD-së kuvendin e nesërm në ditëlindjen e partisë, i këshilloi delegatët që të marrin masa duke u veshur trashë, pasi moti është i pafavorshëm.
Ndërkohë, nga ana tjetër linja zyrtare e PD vijon të cilësojë si ilegjitim kuvendin që mblidhet nesër, duke e cilësuar atë si tubim. Sot pasdite Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi konfirmoi se 5259 delegatë kanë firmosur për të marrë pjesë në Kuvendin e datës 18 Dhjetor. Nga ana tjetër Lulzim Basha bëri me dije një tjetër lëvizje për ditën e nesërme. Me anë të një ftese Basha i fton demokratët në orën 12:00 në selinë blu për të kremtuar ditëlindjen e partisë. g.v/abcnews.al