Botohet sot i plotë dialogu i studentëve me ish-Presidentin Ramiz Alia, më 11 dhjetor 1990, të publikuar në librin e ish- kryeministrit Aleksandër Meksi. Në këtë numër do të jetë dialogu i Azem Hajdarit, Arben Imamit dhe ish-Presidentit Alia për kërkesat e studentëve dhe pluralizmin politik. Në këtë debat Azem Hajdari paraqet kërkesat, ndërsa Imami tregon se situata është e rëndë dhe duhet pluralizëm politik.
Një vajzë: Shoku Ramiz, më falni. Kisha një pyetje direkt për ju.
Arben Imami: Lëre tani.
Azem Hajdari: Desha t’ju sqaroj për një çështje këtu. Një herë, në radhë të parë, dua t’ju flas në emër të Organizatës të Intelektualeve të Rinj, që është krijuar këto ditë. Dua t’ju siguroj që kjo lëvizje…
Ramiz Alia: Duhet të shkoni atje njëherë, në Ministrinë e Drejtësisë, e keni parasysh këtë (qesh)
Azem Hajdari: Kjo lëvizje ka qëllime demokratike, në mbështetje të reformave të ndërmarra nga vetë ju si president. Nuk është një lëvizje e imponuar, as e blerë, as e shitur dhe as ashtu si mund të jetë interpretuar.
Ramiz Alia: S’e ka interpretuar asnjëherë shtypi.
Nga salla ndërhyn një vajzë: Shtypi e interpretoi shoku Ramiz, si një lëvizje që bie ne kundërshtim me politikën e partisë.
Azem Hajdari: S’është e vërtetë, s’është e vërtetë.
Ramiz Alia: Shiko, e keni gabim, e keni gabim. Ju ftoj se, shiko, që kur të hyni në dialog, të jeni të informuar mirë dhe saktë, se ndryshe humbim kohën kot. S’e themi fjalë që nuk janë thënë. Nuk ka thënë, askush nuk e ka thënë këtë. Është tjetër problem minimizimi, është tjetër problem keqinterpretimi, është tjetër.
(ka ndërhyrje nga salla)
Azem Hajdari: Neve shoku Ramiz, kemi paraqitur një program në emër të kësaj lëvizjeje dhe ky program është i paraqitur nga ne, duke pasur parasysh ndjenjat kombëtare dhe asnjë gjë tjetër; dhe demokracinë, e cila ka hyrë në një rrjedhë të pëlqyeshme për popullin, por kemi mendimin se mund të ishte edhe më e përshpejtuar. Faktikisht kemi menduar që, se ashtu siç the edhe ti, që demokracia nuk është bulevard, ka pasur pengesa. Këto pengesa për mendimin tim dhe po ju shpreh edhe mendimin e shokëve të Lëvizjes të Intelektualëve të Rinj, këto pengesa për popullin tonë në këtë periudhë që jemi, janë të vështira. Gjithashtu edhe për ju.
( ka ndërhyrje nga salla)
Azem Hajdari: Shiko, unë flas edhe në emrin tuaj..
Ramiz Alia: Fol more vëlla, fol, të ndigjojmë. Të shikoj se çfarë do thuash.
Azem Hajdari: Prandaj neve jemi të kënaqur që pranuat dialogun, pavarësisht se u krijuan disa vështirësi për me ardhur tek dialogu.
Ramiz Alia: Vështirësitë ju i krijuat.
Azem Hajdari: Vështirësitë mund t’i quajmë në përgjithësi edhe objektive, edhe subjektive.
(ndërhyn Zef Brozi: s’ka rëndësi kjo, gjëra të kaluara. Të vazhdojmë). A është kjo siguria nga ana jonë, që kjo nuk është një lëvizje, si mund të jetë interpretuar jo nga shtypi, por nga persona të veçantë. Nuk kam parasysh atë mendimin zyrtar, por atë që është thënë, atë mendimin që është thënë se është rebelim, është turp. Rinia studentore mendoj unë është e domosdoshme ta mbështesni ju si President, Presidiumi i Kuvendit Popullor, në këto reforma dhe Partinë si iniciatorë të parë, në këto reforma demokratike. Kjo është një ndihmë e madhe.
Ramiz Alia: Kjo duhet mbështetur me të gjitha forcat.
Azem Hajdari: Me të gjitha forcat.
Ramiz Alia: Demokratizimi i jetës së vendit është alfa dhe omega e zhvillimit tonë. Këtë të tërë duhet ta kemi të qartë.
Azem Hajdari: Prandaj ne me këtë program…
Ramiz Alia: Më fal që të ndërpreva, më fal se jam më plak unë ëëë, vetëm duhet pasur parasysh një gjë, duhet pak durim, se nuk bëhen punët aq kollaj.
Azem Hajdari: Neve nuk është se s’jemi për durim.
Ramiz Alia: Ashtu. Unë do ju shpjegoj faktikisht pse duhet durim.
Azem Hajdari: Jemi për durim, po durimi duhet të jetë. Po në rast se hymë në procese demokratike, kjo është e mira e gjithë popullit tonë, dëshira e gjithë popullit tonë, në këto procese duhet të jemi këmbëngulës. I them këto, sepse neve në këtë program që kemi paraqit dhe kemi miratue pikë për pikë mendimin e gjithë studentëve, është parashtruar me gjithë studentët dhe neve si përfaqësues këtu jemi të autorizuar nga ata që ta mbrojmë këtë program me, të hyjmë në dialog për këtë program, të paraqesim ato argumentet tona për çdo pikë të programit. Shokët studenta…
Ramiz Alia: Mua do mi paraqisni këto?
Ndërhyrje nga salla: Popullit, shoku Ramiz.
Ramiz Alia: Mua nuk më duhen këto gjera. Programin duhet ju para se gjithash ta paraqisni, kupton, në Ministrinë e Drejtësisë.
Salla: Nuk është programi, janë kërkesa.
Ramiz Alia: A me fal, po tha programin ky.
Salla: E ka gabim ai.
Ramiz Alia: A e ka gabim aaaa. Dakord, dakord, dakord.
Azem Hajdari: Kërkesa, kërkesa, jo program.
Ramiz Alia: A janë kërkesa, po tha program ky, prandaj thashë…
Azem Hajdari: Kjo lëvizje demokratike, këtu siç e sheh jemi përfaqësues nga çdo fakultet, duke përfshirë edhe Institutin Bujqësor, Institutin e Lartë të Arteve edhe Institutin Vojo Kushi. Gjithashtu, kemi edhe disa pedagogë, të cilët përfaqësojnë pedagogët e rinj, që bëjnë pjesë në këtë lëvizje intelektualësh. Prandaj, ne kemi ardh t’i shprehim këto kërkesa nëpërmjet kësaj përfaqësie dhe ju sigurojmë për bindjen tonë për këto kërkesa. Kërkesa e parë, siç dihet është mbështetja juaj në reformat demokratike, besoj që kjo do t’ju dihet. Ndërsa për kërkesa të tjera, ti programin e njeh, tani mund të flasë ky shoku që ka programin. Jo programin, kërkesat. Shokët studentë më kanë thënë që t’ju kërkoj, sipas mundësive të juaja, që ky dialog, duke pasur parasysh të inçizohet dhe ta transmetojmë dhe ta ndigjojnë studentët.
Ramiz Alia: Është inçizuar dhe do transmetohet. Të gjitha.
Azem Hajdari: Është e mira jonë, e mira e studentëve dhe e mira e të gjithë atyre që duan ta fusin në kanale të tjera këtë…
Ramiz Alia: Jo, e keqja e tyre.
Azem Hajdari: E keqja e tyre….
( Ramizi qesh, qesh edhe salla)
Ramiz Alia: E keqja e tyre, se po të ishte e mira…
Dikush nga salla: Ju lutem ta falni Azemin, se është jashtëzakonisht i lodhur, ka mbajtur mbi supe peshën e katër, mbase pesë ditëve dhe mbase nuk shprehet në kohën e duhur. Ju lutem ta falni.
Ramiz Alia: Shiko, nuk jam mësues gjuhe unë. Nuk i vë re ato. Unë vura re idetë që tha, se ato lapsuset s’janë gjë hiç, tani s’ka rëndësi kjo. Tani ju lutem shumë shkurt dhe në gjëra konkrete, në gjëra konkrete që me të vërtetë ia vlen barra për të diskutuar.
Arben Imami: Me qenë se ju keni bërë një plenium partie, i cili avancon në pozitat e mëparshme të PPSH, ajo me të cilën ne kemi ardhur të bisedojmë do të ndryshojë, d.m.th relativisht kërkesa jonë ndryshon, kërkesa e studentëve edhe e pedagogëve, të cilët janë bashkuar me lëvizjen studentore, e cila është një lëvizje intelektuale, e cila nuk dëshiron për asnjë moment të ndodhin eksese në këtë lëvizje, që nuk dëshiron të fusin hundët e tyre në këtë lëvizje ultra të djathtët, apo ultra të majtët.
Ramiz Alia: Vetëm një gjë do jua them, mos ma merrni për keq. Nuk më erdhi mirë që nuk m’u bindët. Ju thashë të veni në mësim dhe ta diskutojmë.
Tefalin Malshyti: Shoku Ramiz, thatë pa kushte, thatë pa kushte.
Ramiz Alia: Po, po pa kushte, por në bisedim.
Azem Hajdari: Shoku Ramiz, unë kam qenë atë natë kur na pritët juve. Dhe doja t’ju sqaroj diçka.
Ramiz Alia: Lere mos e sqaro, hiç fare mos e sqaro. Azem Hajdari: Është për t’u sqaruar se këtu zë zanafillë problemi.
Ramiz Alia: Jo, jo. Lere Azem tashti, lere tani historinë. Çfarë ke ti?
Arben Imami: Lëvizja Studentore nuk kërkon organizata, të cilat shpallen subjekte elektorale etj, etj. Përse Partia ose Kuvendi ynë ka frikë, ose kuvendi jonë ta përcaktojë qartë dhe saktë parti politike? Atëherë interpretimet do të ishin të pamundura dhe për këtë juve si president do na ndihmonit dhe do të ndihmonit gjithë forcat demokratike. Ramiz Alia: Tashti..
Arben Imami: Një minutë ju lutem. Sepse përsa kohë është organizatë, apo është shoqatë apo parti politike, atëherë forcat e djathta, që aktualisht kanë potencial në shtetin tonë…
Ramiz Alia: Në shtetin tonë?
Arben Imami: Forcat e majta, më falni, më falni, pardon, pardon. Forcat e majta. Burokrati që do të mbahet në atë mënyrë në karrige, për mua është i majtë, është e majta ekstreme.
Ramiz Alia: Është e djathta.
Arben Imami: Për ne është i majtë. Ramiz Alia: Si është i majtë? Është i djathtë.
Arben Imami: Varet si e shikon. Për ne, ju jeni në qendër…
( Ramizi qesh, edhe salla) Për ne janë e majta ekstreme, unë kështu e perceptoj. Megjithëse e majta, e djathta varet nga e shikon.
Ramiz Alia: E mirë, mirë.
Arben Imami: Duhet ta nisim nga kategoritë bazë në qeveri. Neve nuk kemi kohë për t’u marrë me këtë punë. Një vajzë nga salla: Kush është burokrat, e pengon këtë gjë. Jeni me ne apo jo?
Ramiz Alia: Jo në këtë situatë, por në çdo periudhë të shoqërisë burokratizmi është frenim i zhvillimit. Edhe këtu është e njëjta gjë.
Arben Imami: Shoku Ramiz, shoku President njëkohësisht edhe për forcat e djathta, që ekzistojnë këtu, në qoftë se ekstremistë të djathtë që duan të përfitojnë nga kjo situatë, lëvizje revolucionare e rinisë dhe ndoshta t’i japin edhe drejtime të tjera, dhe ndoshta kanë bërë edhe provokime, që këta shokë, sidomos ato që kanë qenë në krye të kësaj pune nuk i kanë lejuar ose janë munduar të mos i lejojnë, themelimi, mundësia e partive të tjera, ato do t’i linte jashtë partive. Sepse ato duke qenë të djathtë dhe me idera fashiste, nuk do të kishin mundësi të paraqisnin programet e tyre. Ramiz Alia: Nuk del njeri me idera fashiste.
Arben Imami: Atëherë, në qoftë se nuk do të dali, pavarësisht…
Ramiz Alia: Mos u bëj, se je goxha djalë, mos u bëj naiv….
Arben Imami: Këtë e di. Pavarësisht, në qoftë se ata nuk dalin, ata do të militojnë brenda një organizate, brenda një partie politike të caktuar dhe pavarësisht nga bindjet e tyre, ata do të zbatojnë atë program nëse zbatojnë programin dhe paguajnë kuotat, ato janë në rregull me partinë e tyre; le të themi socialdemokrate, i vëmë edhe katër emra nga mbrapa, nuk ka rëndësi se çfarë partie. Por ato nuk mund të peshkojnë në këtë ujë të turbullt. Ky është mendimi im. Situata është shumë e turbullt shoku Ramiz. Unë jam pedagog. Jap regjizurë në shkollë. Pardje e mora vesh, dje vajta në vend dhe nuk mund të rrija pa vajtur për të parë se çfarë ndodh dhe pse s’ndodh. Ndjenja gjithë ditën dhe, edhe këta djem e kanë të pamundur ta mbajnë situatën të tërë nën kontroll. Nuk e kontrollojnë dot.
Ramiz Alia: Pse? Sepse kanë ardhur forca të tjera?
Arben Imami: Jo se kanë ardhur forca të tjera. Jo, jo, jo.
(ndërhyn salla: jo,jo) Nuk mund të mbahet totalisht nëse nuk plotësohen këto kërkesa. Ramiz Alia: Po mirë pra, me këtë …
Arben Imami: Unë jam i mendimit se kjo kërkesa nuk plotëson atë që shtrojnë studentët.
Ramiz Alia: Ajo e plotëson plotësisht.
Tefalin Malshyti: Nuk e plotëson plotësisht.
Ramiz Alia: Pse?
Tefalin Malshyti: E para është, sepse ne në këto kushte, në qoftë se mund t’i lexoj, për shembull një pikë e kësaj kërkese është ne jemi përkrahës të reformave demokratike (ndërhyn Alia: lere këtë, vazhdo më poshtë). Kalojmë tek pika tjetër.
Ramiz Alia: Kalo tek ajo organizata që thua ti.
Tefalin Malshyti: Prit se janë kështu. Kërkojmë pluralizëm politik, si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme.
Ramiz Alia: Po bukuri, mirë.
Tefalin Malshyti: Si pasojë të lejohet krijimi i organizatës së pavarur politike të studentëve dhe intelektualëve të rinj.
Ramiz Alia: Po, e krijojmë.
Tefalin Malshyti: Statutin e së cilës ne do e paraqesim në Ministrinë e Drejtësisë.
Ramiz Alia: Shumë bukur. Paraqiteni përpara Ministrisë e Drejtësisë statutin tuaj, si organizatë siç thoni ju. S’ka asgjë këtu, paraqiteni dhe pikë.
Tefalin Malshyti: A është e vërtetë që mund të na lejohet që nesër?
Ramiz Alia: Po, që nesër. Paraqiteni para Ministrisë së Drejtësisë.
Tefalin Malshyti: Që nesër, se në bazë të këtij legjislacioni nuk ka një pikë e tillë që e pranon këtë, që e pranon këtë.
Ramiz Alia: Paraqitemi në bazë të asaj.
Zef Brozi: Ju shokë studentë do ta konsideroni një organizatë shoqërore, padyshim kërkon miratimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ramiz Alia: A është politike edhe kjo?
Zef Brozi: Problemi është, nëse është organizatë politike.
Ramiz Alia: Atëherë paraqiteni para Ministrisë së Drejtësisë programin dhe Ministria e Drejtësisë do të japë mendimin për…
Zef Brozi: Kam një mëdyshje, nëse do të konsiderohet vërtetë me atë emërtesën organizatë politike, edhe politike?
Ramiz Alia: Quhet politike, parashikohet organizatë politike.
Zef Brozi: Atëherë do të konfirmohet edhe nga ndonjë organ partiak?
Ramiz Alia: Jo, s’ka nevojë.
Zef Brozi: Mendoj se po, sepse Kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë. Ramiz Alia: Nuk e kërkon Kushtetuta. Prandaj juve paraqisni para Ministrisë së Drejtësisë programin tuaj. Kërkoni aprovimin sipas rregullave dhe normave që ka Ministria e Drejtësisë për organizatat shoqërore, politike dhe ajo duhet ta aprovojë. Kështu që kjo iku. Çfarë ka tjetër?
Tefalin Malshyti: Jo, ne kishim këtu me një fjalë.
Ramiz Alia: Prit, prit, prit. Ça ka ndonjë gjë
(ndërhyrje nga salla: këtë pikë shoku Ramiz). Kjo pikë është e qartë, s’ka asnjë problem.
Arben Imami: Prit se nuk është e qartë shoku Ramiz, se këtu thuhet kërkojmë pluralizëm politik (reagime nga salla).
Arben Meçe: Në qoftë se ne nesër duam të fillojë aktivitetin kjo organizatë?
Ramiz Alia: Organet e drejtësisë do ju japin përgjigje.
Arben Meçe: A na pengojnë organet e drejtësisë për këtë gjë?
Ramiz Alia: Medoemos duhet të presësh vendimin për krijimin e kësaj organizate.
Arben Meçe: Pra, duhet të presim? Gjendja është shumë e elektrizuar atje dhe ne duhet të vemi sot t’u japim përgjigje, përgjigjen tuaj.
Ramiz Alia: Juve do veni. Shiko shokë studentë, unë po ju drejtohem ju që të paraqitni programin e organizatës suaj përpara Ministrisë së Drejtësisë, e cila sipas rregullave dhe normave do t’ju japë menjëherë përgjigje për këtë çështje. Urdhëro, ja ua transmetova studentëve.
Arben Meçe: E dyta, shumë familje nëpër rrethe janë të dizinformuara për çështjen këtu. Rrugës nuk i dihet. Televizioni ynë e ka dhënë ashtu si e mendoi, organ kompetent për atë punë. Nuk e ka dhënë ai, dizinformimin e ka dhënë tjetërkush. E kanë dhënë elementët armiq, me qëllim që të shqetësohen edhe shokët tanë, edhe prindërit tanë, edhe gjithçka që kemi ne, miqtë tanë. Dhe kjo pasqyrohet në telefonatat që bënë ata, ku insistojnë veçanërisht për shëndetin. A nuk do të ishte e mirë nga ana e shtypit tonë që sot të njoftonte për këtë organizim dhe kjo do të ishte…
Ramiz Alia: Ike nga ajo. Ç’po them unë këtu. Kjo që po bisedojmë ne këtu do të transmetohet. Do transmetohet në emisionet e televizionit. Dikush nga salla: Të mos trajtohet si e dorës së dytë.
Ramiz Alia: Do të transmetohet në emisionet e televizionit. E dorës së dytë apo e dorës së parë, nuk jam unë redaktori i lajmeve. Unë propozoj që kjo bisedë që po bëjmë të shkojë tani në Qytetin Studenti dhe kështu siç është e regjistruar të transmetohet.
Blendi Gonxhe: Shoku Ramiz, ju besojmë plotësisht.
Arbem Meçe: Shoku Ramiz, më fal. Për këtë problem që jemi mbledhur ne këtu sot, ju mblodhët një plenum të tërë.
Ramiz Alia: Jo vetëm për këtë
Arben Meçe: Ky ka qenë problemi kryesor, ju vetë e thatë. A duhet që edhe shtypi ta shtyjë këtë për një emision të veçantë? Më duket zvarritje.
Ramiz Alia: Për cilën?
Arben Meçe: Këtë sot, që po mblidhemi ne.
Ramiz Alia: Shtypi ka dhënë sqarime ditën e parë. Për konseguencë edhe sot në gazetë, që thoshte që juve u mblodhët, bëtë kërkesat tuaja, kërkuara takim me presidentin, presidenti…
Ndërhyn një vajzë nga salla: Po, thanë 400 veta Ramiz Alia: Nuk janë dhënë 400 veta dhe prapë je informuar keq. Asnjë shifër nuk është dhënë. Prandaj shiko, ju vë re se nuk jeni mirinformuar.
Redaktori i TV: Shiko, shiko, më falni shoku Ramiz. Unë jam redaktori i televizionit dhe nuk janë dhënë gjëra të tilla. Të paktën televizioni nuk ka dhënë një lajm të tillë, që janë 400 vetë aso s’janë 400 vetë, që janë armiq apo s’janë armiq.
(ndërhyrje nga salla: Jemi quajtur armiku i klasës). Ramiz Alia:Jo, jo, jo, s’ka thënë gjë.
Salla: I keni quajtur trazira (debate në sallë)
Arben Demeti: Televizioni i ka thënë trazira.
Ramiz Alia: Jo, jo, jo, të lutem. Jo trazira, janë quajtur çrregullime. Dëgjoni këtu. Po i drejtohem studentëve të Universitetit të Tiranës, nuk është thënë trazira. Juve diziformoni. Është thënë fjala çrregullime. Nuk është thënë 400, as 200, as 100 veta. Juve, duke përdorur shifra të tilla dizinformoni. Prandaj unë i lutem, i lutem të gjithë studentëve që janë seriozë dhe unë i dua pse janë seriozë, të jenë seriozë në çdo gjë. Kjo është e mira e atdheut, është e mira e studentëve.
Arben Lika: Shoku Ramiz, më falni.
Ramiz Alia: Të mbarojë kush e nisi këtë. A mbarove? Kush tha më falini atje?
Arben Lika: Unë, unë. Ishte fjala nuk është thënë trazira, por çrregullim.
Ramiz Alia: Po lere tashti.
Arben Lika: Jo, jo, vetëm diçka. Në fund të fundit, çfarë ndryshimi ka çrregullimi nga trazirat?
Ramiz Alia: Tashti ju thashë unë të mos merremi me rregulla gjuhësore. Çrregullim, ishte sepse në veprimet që janë bërë ka pasur çrregullime, si s’ka pasur çrregullime.
Blendi Gonxhe: Zoti President, ju lutem na falni që ju shqetësuam pak, por na dëgjoni edhe njëherë. Kemi ardhur këtu nga Qyteti Studenti dhe le t’i themi gjërat siç janë dhe konkretisht. Të na falni se ju morëm kohë më shumë se ç’duhet, sepse jeni shumë i zënë në këtë kohë. Kemi ardhur që atje dhe atje ka mbi 2 mijë ose 3 mijë veta që presin, tiranas, të afërmit tanë, të rinj e të reja
(ndërhyn Ramizi: po prandaj është mirë të shkoni). Kemi ardhur që andej dhe jemi ndarë me këto fjalë, autobusin desh e shqyen, duke na kërkuar demokraci dhe duke na kërkuar që t’i përfaqësojmë shokët drejt, për ato që na çuan. Duke brohoritur edhe emrin tuaj. Kishte ndonjë dorë që është me dy gishta, por ulej prapë. Po nuk ka problem, i ulëm edhe ato.
Ramiz Alia: Atyre duhet t’ia këpusni gishtat, sepse ajo shenjë është një çikë, komprometon të tjerët.
(ndërhyrje nga salla). Jo, jo duhet të kini kujdes, prandaj unë ju drejtohem të gjithëve.
Blendi Gonxhe: O çuna, o çuna ju lutem. Që të jemi të sinqertë deri në fund. Meqë ata do na dëgjojnë neve dhe meqë ata kanë shpresën e madhe tek ju, ju lutemi studentëve, meqë ata do na dëgjojnë, që të na kuptojnë, sepse ne kishim marrë një detyrë tjetër këtu. Kishim marrë detyrë që të vinim të paraqisnim kërkesat tona dhe të iknim në rast se ju nuk do na i pranonit, dhe në rast se ju do na i pranonit, të jepnim sihariqin. Meqë ne këtu erdhëm dhe ju na i dhatë sihariqin pa ardhur mirë, neve duhet t’i themi studentëve, që qëllimi ynë ndryshoi deri diku, sepse Partia Komuniste Shqiptare,
( ndërhyrje nga salla: Partia e Punës së Shqipërisë) njohu më në fund parimin që të ketë parti të tjera politike. Do bëhet, apo s’do bëhet kjo, është gënjeshtër apo jo kjo, kjo nuk dihet.
Ramiz Alia: Do bëhet. Nuk është gënjeshtër kjo. Unë po ju them do bëhet.
Blendi Gonxhe: Pra, ne kemi marrë fjalën e Presidentit Ramiz Alia këtu dhe kjo do realizohet.
Ramiz Alia: Unë po e them se vendimi i Pleniumit të Komitetit Qendror të Partisë për këtë çështje është një vendim që do të zbatohet. Organet e drejtësisë, organet e shtetit duhet të zbatojnë ligjet. Unë nga ana si President, meqë s’po më ashtu, s’po më mendoni për ashtu, por vetëm kështu (qesh)
Blendi Gonxhe: Vetëm ashtu, kemi respekt për ju. /Panorama