Përfaqësues të bizneseve dhe banorë te zonës së Sukthit kanë protestuar kundër aksionit të ARRSH për mbylljen e kalimeve të rrezikshme drejt hyrjes dhe daljes nga autostrada. Protesta është zhvilluar mëngjesin e sotëm afër zonës ku ARRSH në bashkëpunim me policinë po hapin kanalet buzë rrugës për të penguar hyrjen dhe daljen e automjeteve. Alban Isteri, kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Durrës shprehet se ky vendim penalizon rëndë biznesin duke çuar në falimentimin e rreth 800 subjekteve.
“ARRSH në mënyrë të jashtëligjshme, pa asnjëlloj njoftimi dhe pai dhënë rrugëzgjidhje të tjera bizneseve po tentojnë të mbyllin daljet e bizneseve dhe aksesimin e tyre me rrugë dhe i bie që bizneset të mos kenë akses dhe të mbyllin aktivitetin e tyre, sepse siç e dini të gjithë nuk ekziston një rrugë dytësore siç është nga Tirana në Vorë, nga Vora në Durrës s’ka rrugë dytësore. Përmes këtij aksioni ARRSH kërkon mbylljen e këtyre bizneseve, bëhet fjalë për më shumë se 800 biznese të cilat kanë akses dhe lëvizin përmes kësaj rruge, të cilat me vazhdimin e këtij aksioni mbyllin aktivitetin e tyre. Ne kërkojmë të ndërpritet ky aksion sepse bëhet fjalë për biznese që kanë mbi 20 vite që e ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë këtij segmenti me të gjitha rregullat. Ne e mirëkuptojmë pjesën e rrezikut të hyrjeve dhe daljeve në autostradë por s’është kjo mënyra e zgjidhjes. Palët të ulen e të diskutojnë për një zgjidhje permanente, një zgjidhje do ishte ndërtimi i një rruge dytësore dhe të kemi mundësi që bizneset të kenë mundësi të aksesojnë. Nëse nuk merret parasysh bizneset do të përshkallëzojnë protestën e tyre në rrugë të tjera”, tha Isteri.
Dy banorë të zonës thonë se janë bllokuar tërësisht pasi nuk kanë mundësi për të çuar fëmijët në shkollë.
“Jemi familjarë, banojnë te mbikalimi i Fllakës, jemi 26 familje me një parcelë që jemi të bllokuar në të gjitha anët me kanale të mëdhaja. E vetmja dalje e hyrje që kemi është në autostradë. Kërkojmë rrugë dalje. Jemi të bllokuar, do çojmë fëmijët në shkollë në Durrës, edhe një kurs pasdite, ne skemi ku dalim, as ku të bëjmë tregti as ku të marrin ushqim. Nëse sna marrin parasysh kërkesën do dalim me gra dhe fëmijë në autostradë”, tha një banor.
“Rrugë të dytë ose të na hapin rrugë, jemi të paralizuar për momentin. S’na ka thënë njeri për këtë aksion dhe as nuk na ka pyetur. Fshati për momentin është i bllokuar”.
Një përfaqësues biznesi thotë se kanë të gjitha lejet e duhura për ushtrim aktiviteti bazë autostradës të lëshuara nga ish komunat dhe bashkitë.
“Po shkojmë drejt mbylljes së bizneseve, kemi kërkuar takim pranë ARSHH dje, na kanë pritur por kërkesat tona bien në vesh të shurdhër. Ne s’kemi mënyrë tjetër dalje dhe për të kryer biznes”.
Përfaqësuesit e bizneseve paralajmëruan se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre, protesta do përshkallëzohet./abcnews.al