Kushi firmos në SHBA: Studime të nivelit ndërkombëtar pa u larguar nga Shqipëria

schedule12:55 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 12:55 - 6 Dhjetor, 2021

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ndodhet në SHBA së bashku me ministra të tjerë në vizitën që po zhvillojnë me kryeministrin Edi Rama. Kushi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në Universitetin Shtetëror të Miçiganit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Sipas zyrës së shtypit të ministrisë së Arsimit ky bashkëpunim i ri që do të nisë mes gjashtë universiteteve shqiptare dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit, do t’i hapë rrugë programeve të përbashkëta të studimit, shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe aktiviteteve, konferencave e projekteve të përbashkëta kërkimore shkencore.

Ministrja Kushi theksoi se hapja e universiteteve tona ndaj universiteteve ndërkombëtare, me programe e projekte të përbashkëta u mundëson të rinjve shqiptarë që të kryejnë studime të nivelit ndërkombëtar pa qenë e nevojshme që të largohen nga Shqipëria.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi me interes dypalësh, tha më tej ajo, do të shërbejë edhe për shkëmbim eksperience në publikime dhe informacion akademik, kërkuesve shkencorë, si dhe do të nxisë takime të përbashkëta për të rritur cilësinë në arsim dhe kërkim shkencor, do të nxisë mbështetje në asistencë teknike, si dhe bashkëpunim në krijimin e mjediseve elektronike për leksione dhe kurse./ Abcnews.al