Festat e Krishtlindjeve apo eventet e tjera festive që mbahen në këtë periudhë të vitit mund të kufizohen për shkak të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe.
Lajmin e bëri të ditur një zyrtare e lartë e shëndetësisë në Britaninë e Madhe.
Jenny Harries, shefja ekzekutive e Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, u bëri thirrje qytetarëve që të kufizojnë kontaktet e tyre shoqërore pasi shqetësimet janë që vaksinat ekzistuese mund të rezultojnë më pak efektive kundër Omicron sesa kundër varianteve të tjera.
“Sigurisht që sjellja jonë në dimër, dhe veçanërisht rreth Krishtlindjeve, ne priremi të shoqërohemi më shumë, kështu që mendoj se të gjitha ato do të duhet të merren parasysh,” tha Harries për programin Today të BBC Radio 4.
Ajo tha se, edhe nëse efektiviteti i vaksinës do të zvogëlohej, doza e tretë mund të shkaktojë një rritje të mbrojtjes imunitare.
Harries shtoi se numri i rasteve me variantin e ri në Britani mbetet i ulët ndërsa shtoi: “Kështu që është një fazë shumë e hershme për këtë, mendoj, por sigurisht, nëse shohim rritje, atëherë puna nga shtëpia do të jetë një gjë e mirë për t’u bërë.” /abcnews.al/