Qeveria e re britanike, e udhëhequr nga kryeministri Andy Burnham, ka njoftuar një paketë të re masash për të zbutur ndikimin e rritjes së kostos së jetesës, duke vendosur kufirin maksimal të çmimit të një bilete autobusi në 2 paund, duke nisur nga muaji janar.
Sipas qeverisë, masa do të mbështetet nga një fond shtesë prej 454 milionë funtesh, i cili do të sigurohet përmes riorganizimit të shpenzimeve në buxhetin e Departamentit për Sigurinë e Energjisë dhe Emetimet Zero.
“Që nga dita e parë kam thënë se do të ndërtoj një vend për të gjithë, kudo. Kjo do të thotë komunitete më të lidhura, më shumë mundësi dhe më pak barrë financiare për qytetarët”, deklaroi Burnham.
Vendimi vjen vetëm një ditë pasi qeveria njoftoi heqjen e TVSH-së nga faturat e energjisë elektrike për familjet, një masë që do të hyjë në fuqi më 1 tetor.
Kostoja e heqjes së TVSH-së do të mbulohet përmes anulimit të projektit të identitetit dixhital të qeverisë, me vlerë 1.8 miliardë funte.
Burnham ka paralajmëruar se këto nuk do të jenë masat e vetme, duke theksuar se ekzekutivi synon të ndërmarrë hapa që do të japin efekt të menjëhershëm, veçanërisht për familjet me të ardhura më të ulëta, në përpjekje për të përballuar krizën e kostos së jetesës.
/abcnews.al/



