VIDEO/ Autobusët formojnë “mur” për të mbrojtur motoçiklistët nga era e fortë në urën e Bosforit

schedule07:38 - 30 Nëntor, 2021

schedule 07:38 - 30 Nëntor, 2021

Moti i keq që goditi dje disa zona në Turqi shkaktoi shumë probleme në transportin rrugor dhe detar, ndërsa u kushtoi jetën të paktën 4 personave në Stamboll , ku erërat frynin me shpejtësi deri në 130 km në orë.

Të paktën 19 persona kanë mbetur të plagosur në zonën e Stambollit nga erërat e forta të djeshme, ndërsa në disa pjesë të vendit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, shkulje pemësh, çati të rrëzuara dhe aksidente të rënda në rrugë.

Por përveç pamjeve të fatkeqësisë që kanë qarkulluar në internet, dje është shfaqur një skenë pozitive kur autobusët kanë formuar një “mur” për të mbrojtur motoçiklistët që rrezikoheshin nga era në urën  Bosforit, përcjell abcnews.al.

Sipas Milliyet, ngjarja ndodhi në Urën e Dëshmorëve, e njohur ndryshe si Ura e parë e Bosforit ose “Ura e Ataturkut” ku dje ishin krijuar radhë në anën evropiane nga motoçiklistë që prisnin të ndalonte era.

Në një prononcim për gazetën turke, një motoçiklist, Oktay Baraktar, tregoi se si u përpoq të kalonte urën dje dhe era e fortë e hodhi nga motori. “Isha poshtë me motoçikletën dhe nuk dija si të kthehesha”, tha motoçiklisti duke shpjeguar se më në fund në hyrje të urës është shoqëruar nga një punonjës policie.

Në videon po bën xhiron e internetit, duken 4 motoçiklistë duke kaluar urën, të inkuadruar nga dy autobusë të verdhë që lëvizin ngadalë, vetëm për t’i mbrojtur nga era e fortë. g.v/abcnews.al