Pakti për Universitetin, Rama në Elbasan: Do ndërtojmë konvikte të reja

schedule17:22 - 22 Janar, 2019

schedule 17:22 - 22 Janar, 2019

Kryeministri Edi Rama prezantoi Paktin për Universitetin, te studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan gjatë kësaj të martë. Kryeministri Rama theksoi se konviktet e reja do të ndërtohen me koncesion me Partneritet Publik Privat, ndërsa karta e studentit do të jetë gati në vjeshtë.

Ndalesa e radhës e kryeministrit Rama për të bashkëbiseduar mbi Paktin për Universitetin ishte në Elbasan me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit me studentët e Elbasanit foli për ndërtimin e universiteteve dhe konvikteve të reja sipas formulës së Partneritetit Publik Privat.

“Konviktet në çdo bashki ne do t’ia kalojmë universitetit. Pra, universiteti duhet t’i administrojë konviktet këtu, konviktet e këtij universiteti apo në Vlorë, apo në Shkodër, apo në Gjirokastër, është formula më e thjeshtë dhe më efikase sepse universiteti kështu mund të bëjë edhe kombinimin e nevojave dhe kombinimin e incentivave për studentë të caktuar etj, etj. Pra i thashë, këtë projekt duhet ta integroni sëbashku me projektin e konvikteve, sëbashku me çfarë keni nevoja të tjera dhe do bëni një projekt dhe shuma që duhet për këtë projekt për universitetin e Elbasanit do futet në programin e infrastrukturës universitare që do të bëhet me partneritet publik-privat, me të njëjtën skemë si Thumanë-Kashari, por jo rruga atje, por programi kombëtar për infrastrukturën e universiteteve”, tha Rama.

I pyetur për ryshfetin e pedagogëve, kryeministri pranoi se ekziston por studentët duhet të marrin kurajon ta denoncojnë atë.

Unë mendoj që kur flasim për korrupsion duhet të kemi kurajën të themi “Ti”, ose “filan” pedagog më ka kërkuar para dhe unë jam e gatshme ose i gatshëm të përballem me filan pedagog me fakte e nëse të ka kërkuar vërtetë para, atëherë je në gjendje të thuash ku, si, e të tjera dhe pastaj ka njerëz që dinë të hetojnë nëse pikërisht atë ditë e pikërisht në atë vend ke qenë apo nuk ke qenë,” tha kryeministri.

Në bashkëbisedimin me studentet në Elbasan nuk munguan as pyetjet për kartën e studentit, ku Rama u përgjigj se ajo do jetë moderne dhe do jetë gati në vjeshtë.

E para, Karta e Studentit është një angazhim që për hir të të vërtetës duhet të ishte plotësuar. Nuk është plotësuar e nuk po i hyj për çfarë arsyesh. Gjëja që kemi bërë dhe që kemi dashur të bëjmë dhe që besojmë të bëjmë me Kartën, është që të hyjmë në rrjetin e Kartës Europiane të Studentit. Është një rrjet i ri që është krijuar. Ne e kemi filluar qysh në fillim të vitit të shkuar diskutimet. Kemi marrë një dakordësi me organizatën franceze, që është ofruesi i Kartës Europiane dhe duam që të finalizojmë këtë proces në mënyrë që Karta e Studentit të jetë e vlefshme dhe ashtë vendit dhe në ato vende që janë pjesë e netëork-ut, se nuk janë të gjitha vendet, por në fakt po regjistrohen njëra pas tjetrës. Është një netëork që BE e ka hapur edhe për vendet jo anëtare, pra, për vendet e Ballkanit dhe të mund të përfitojnë njësoj. P.sh., nëse shkon në Paris, të përfitosh nga Karta Studentore e universitetit “Aleksandër Xhuvani” të gjitha ato që përfiton një student në Paris nga Karta Europiane e universitetit të tij, ose të saj në Francë”, tha Rama.

Gjatë takimit Rama nuk harroi te ironizonte dhe median nëpërmjet studentëve të gazetarisë.

“Nja 100 vetë për gazetarë në vit të parë. Ku do shkoni? Cili kazan do ju nxë 100 veta nga Elbasani dhe 100, 100, 100 janë 400 vetëm këtu. Domethënë, jeni mijëra njerëz që doni “kazanin” tuaj për të jetuar”, u shpreh Rama./abcnews.al