Tiranë, zgjerohet 4 herë trotuari në rrugën pranë Shallvareve

schedule13:56 - 22 Janar, 2019

schedule 13:56 - 22 Janar, 2019

Trotuaret pranë pallateve të njohura si Shallvaret në Tiranë, po zgjerohen duke marrë pjesë rruge, ku parkoheshin makina. Sipas Bashkisë së Tiranës, me këto projekte po rikuperohen më shumë hapësira në favor të këmbësorëve.

Në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë shallvareve në Tiranë trotuaret po zgjerohen në dy metra e gjysëm, duke shtuar hapësirat pedonale në favor të këmbësorëve.

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si po rikuperojmë tokë dhe terren, që më përpara ishte vetëm pronë e makinave, të cilat në fakt janë vetëm 20% e popullatës, kurse 80% e njerëzve ecin në këmbë, përdorin biçikletat dhe transportin publik. Kjo rrugë vërtetë ka qenë një rrugë tregtare, një rrugë me dyqane, me kafe e biznese, ama për trotuar kishim një shteg dhish, i cili nuk lejonte të shkëmbeheshin dy vetë, e jo më të shijonin vitrinat apo të bënin biznes. Ajo që kemi vënë re në të gjitha rrugët ku shtohen hapësirat pedonale ka më shumë biznes, ka më shumë ekonomi, ka më shumë xhiro. E kemi vënë re tek “Myslym Shyri”, e kemi vënë re te Pazari i Ri, te sheshi “Skëndërbej”, në çdo rrugë që përshkohet nga një trotuar i mirë ose nga një korsi biçikletash”.

Sipas kryebashkiakut, shumë prej trotuareve të zaptuara gjatë viteve ‘90 janë legalizuar dhe hipotekuar, prandaj për zgjerimin e trotuarit përgjatë gjithë segmentit rrugor nga “Myslym Shyri” deri tek ura e Lanës janë përdorur hapësirat që më herët përdoreshin për parkimin e makinave. Heqja e mundësisë së parkimit në këtë zonë rikuperohet, sipas bashkisë, me parkingjet që janë ndërtuar dhe janë në plan për t’u ndërtuar në zonën përreth.

Sipas Veliajt, Bashkia e Tiranës prej disa muajsh ka nisur projektin për të përshtatur të gjitha trotuaret dhe rrugët për kalimin e karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi ndryshe, duke mundësuar kështu një qytet për të gjithë.

Veliaj shtoi se projekti i radhës është ndërhyrja në parkun “Rinia”, i cili do t’i nënshtrohet një ndërhyrje totale nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.