Klej Tompson pati një ndeshje të madhe në derbin e Kalifornisë në basketbollin amerikan. Kapiteni I Golden Stejtit u tregua i shkëlqyer në gjuajtjet për tri pikë.
E kemi thënë se ky qenka sezoni i rekordeve. Thuajse nuk ka javë pa sjellë ndonjë kulm të ri në NBA, dhe më I fundit që e bëri këtë ishte Klej Tompsoni.
Kapiteni i Golden Stejtit u tregua i pandalshëm në ndeshjen që mendohej e komplikuar, në fushën e Lejkërsave, duke realizuar njërën pas tjetrës 10 gjuajtje për tri pikë.
Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që një basketbollist i NBA-së të shënonte 10 kosha tripikësh radhazi.
Tompson e humbi gjuajtjen e 11-të, por kjo nuk pati rëndësi, pasi rekordi ishte vendosur, dhe po ashtu ndeshja ishte fituar.
Në fund, kapiteni shënoi 44 pikë, në një mbrëmje ku Xhejms Harden realizoi 37 për Hjustonin, dhe barazoi njërën prej serive të Uilt Çembërlenit, me 20 ndeshje radhazi me të paktën 30 pikë të shënuara.
Golden Stejti u hakmorr ndaj Lejkërsave për humbjen e pësuar në fushën e vet, në derbin e parë të Kalifornisë, dhjetorin e kaluar, dhe u përgjigj po me një fitore të thellë.
Rezultati ishte 130-111, por padyshim kampionët e NBA-së u ndihmuan nga dëmtimet e vendasve.
Përveç Lebron Xhejmsit, në derbi nuk luajtën as Rejxhën Rondo dhe as Lonzo Boll, të tre lojtarë që organizojnë lojën.
Golden Stejti mbajti vendin e parë në Konferencën Perëndimore, me 33 fitore e 14 humbje, ndërsa është ende skuadra e tretë më e mirë e sezonit në basketbollin amerikan. /abcnews.al