Republika Çeke ballafaqohej më 25 nëntor me dy sfida përballë pandemisë derisa numri në rritje i personave të infektuar ka detyruar vendin të shpallë gjendje të jashtëzakonshme e në anën tjetër presidenti, Millosh Zeman është hospitalizuar sërish pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.
Qeveria kalimtare e Andrej Babishit shpalli 30 ditë të gjendjes së jashtëzakonshme në vend pasi më shumë se 18 mijë raste të reja me koronavirus u regjistruan më 25 nëntor.
Autoritetet menjëherë prezantuan masa të reja sikurse ndalimi i tubimeve të mëdha apo ndalimin e punës për biznese deri në orët e vona.
Mesatarja ditore prej 1516 rasteve pozitive në ditë në republikën Çeke në një milion banorë përgjatë javës së fundit paraqet shifrën më të lartë të të infektuarve në botë, derisa më keq qëndrojnë vetëm Sllovakia fqinje dhe Austria, pohojnë statistikat e ueb-faqes Our World in Data.
“Të presim dhjetë ditë dhe më pas eventualisht mund të rishqyrtojmë masat”, tha ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech pasi sugjeroi se numri i të infektuarve mund të rritet në një periudhë të shkurtë kohore.
Më vonë, shumë media çeke raportuan që presidenti Zeman është kthyer në spitalin ushtarak në Pragë pasi rezultoi pozitiv me koronavirus.
Përkeqësimi i përnjëhershëm i shëndetit të presidentit në fillim të tetorit, ndikoi në ndërprerjen e negociatave paszgjedhore, pasi kryeministri dhe aleati i tij Andrej Babish humbi përballë koalicionit të opozitës në zgjedhjet parlamentare. /Rel