Pakti për Universitetin i prezantuar të premten nga Kryeministri Rama dhe ministrat e qeverisë së tij është në qendër të diskutimeve përsa i përket plotësimit apo jo të kërkesave të studentëve. Lidhur me këtë çështje ishte i ftuar në ABC News, Albert Nikolla, këshilltari i Kryeministrit për çështjet sociale. Sipas tij shumoica e kërkesave do të plotësohen brenda vitit akademik 2018-2019, por ka edhe një kërkesë që nuk realizohet dot në një kohë kaq të shkurtër e cila është ajo për konviktet.
“Disa nga kërkesat do zgjidhen brenda vitit akademik 2018-2019. E vetmja gjë që kërkon kohë është ajo e konvikteve sepse kërkon kohë fizike. Përveç kësaj pike, të gjitha pikat e tjera janë të zgjidhshme brenda këtij viti akademik. Do zgjidhen sepse Kryeministri dhe qeveria kanë dhënë përgjigje korrekte”, u shpreh ai.
Një tjetër kërkesë e studentëve është përgjysmimi i tarifave për të gjitha nivelet e studimit të lartë. Albert Nikolla u shpreh se qeveria ka vendosë të përgjysmojë tarifat për të gjithë studentët këtë vit, si dhe të ofrojë bursë 100 mijë Lekë për disa kategori. Megjithatë nga viti i ardhshëm akademik do të ketë ndryshime të cilat synojnë nxitjen e studentëve që janë nën mesataren 6.
“Kjo është interesante përsa i përket vullnetit që ka qeveria për ta zgjidhur këtë gjë. Në vitin e dytë akademik 2019-2020, do vazhdojë përgjysmimi i tarifave, por studentët që janë me notë mesatare nën 6 do e paguajnë të plotë sepse synohet të nxiten”, tha ai.
Por të përjashtuar nga përgjysmimi i tarifave janë studentët e Masterit.
“Masteri është paksa ndryshe. Nuk mund të ketë ulje tarifash masive. Duhet të kuptojmë që masteri nuk është detyrim kushtetues. Master kërrkund në botë nuk ofrohet gratis. Masteri nuk është kusht i domosdoshëm për punë. Masteri është vlerë shtesë për të gjetur punë, për të shkuar përpara edhe në aspektin akademik, por nuk është domosdoshmërisht i nevojshëm për një punë. Studentët që kanë rezultate të dobëta nuk mund të kenë ulje tarifash”, u shpreh Nikolla.
Studentët kanë kërkuar edhe transparencë në buxhet. Kjo sipas Nikollës rregullohet duke vendosur Bordet e Administrimit që të botojnë të gjitha vendimet e tyre në faqet online të IAL-ve./abcnews.al