Meta dekreton Ramën ministër të Jashtëm

schedule11:02 - 18 Janar, 2019

schedule 11:02 - 18 Janar, 2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar kryeministrin Edi Rama në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në njoftimin për shtyp, zëdhënësi i presidencës sqaron se në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti Ilir Meta, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Katër ditë iu deshën që të shqyrtonte vetpropozimin e kryeministrit Edi Rama. Presidenti i Republikës ia hapi rrugën për të mbajtur dy karrige në Këshillin e Ministrave edhe atë të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme ndonëse nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

“Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar”.

Me këtë vendim, Presidenti ka menduar edhe për shmangien e një krize institucionale.

“Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Në të njëjtën kohë, Presidenti i Republikës ka vendosur me Dekret që Ditmir Bushati, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme./abcnews.al