Kriza e Flamurtarit po thellohet gjithnjë e më shumë. Humbja në miqësoren me Bylisin e Kategorisë së Parë ishte një tjetër sinjal se lojtarët janë të shqetësuar për çështjen e rrogave.
U shënua një gol, por u humb një ndeshje. Flamurtari vazhdon një fazë përgatitore në pasiguri të plotë, dhe pas rezultateve aspak inkurajuese ditët e kaluara, ja ku erdhi edhe disfata në fushën e Bylisit të Kategorisë së Parë, humbje që nuk premton asgjë të mirë për të ardhmen.
Skuadra e trajnerit Ilir Daja, e krijuar me shumë pretendime për të kapur të paktën Europën, dhe, pse jo, për të synuar edhe titullin, duket tërësisht e dorëzuar. Thuajse si asnjëherë më parë, po vazhdon një duel force mes lojtarëve dhe administratorit Sinan Idrizi, për çështjen e rrogave.
Numri 1 i klubit ka hedhur poshtë pretendimet e skuadrës, dhe ka këmbëngulur se gjendja është krejt normale.
Në një sfidë ndaj fjalëve të tij, kanë ardhur reagimet e lojtarëve, me sulmuesin brazilian, Danilo Alves, që nuk është paraqitur fare në ekip, që kur u largua për pushimin e fundvitit.
Po ashtu, kapiteni Bushiç, edhe pse po stërvitet dhe po luan nën drejtimin e trajnerit Daja, ka paralajmëruar se do ta kërkojë të drejtën në FIFA, madje besohet se ka lajmëruar organizatën botërore të futbolli, si dhe Federatën Shqiptare.
Flamurtari ka pasur probleme të rrogave edhe më parë, por këtë sezon gjithçka është bërë me serioze, me administratorin Idrizi duket se po bën presion, në mënyrë që shteti t’i japë të drejtën që të privatizojë infrastrukturën e klubit, stadiumin dhe kompleksin stërvitor.
Nuk dihet sesi do të përfundojë ky konflikt, por e vërteta është që Flamurtari rrezikon shumë me fillimin e Superligës, madje edhe vetë statusin si skuadër në elitë./abcnews.al