Plot 15.000 femra në finalen e Superkupës së Italisë

schedule12:17 - 17 Janar, 2019

schedule 12:17 - 17 Janar, 2019

Një ngjarje me rëndësi ndodhi në finalen e Superkupës së Italisë. Plot 15.000 vajza dhe gra ndoqën ndeshjen mes Juventusit dhe Milanit, duke shkelur një tabu.

Për herë të parë në historinë e Arabisë Saudite, femrat patën mundësi të ndiqnin në stadium një ndeshje të nivelit ndërkombëtar. Kjo ndodhi në finalen e Superkupës së Italisë mes Juventusit dhe Milanit, me rreth 15.000 gra e vajza që blenë një biletë dhe ishin të pranishme në stadiumin “Mbreti Abdullah” në Xhedah. Mbretëria saudite lejoi vitin e kaluar që femrat të mund të ndiqnin ndeshjet në stadiume, për herë të parë në histori dhe kjo ndodhi në mjaft takime të futbollit vendas, por Superkupa e Italisë ishte e para sfidë ndërkombëtare.

Hyrja e femrave në stadium, gjithsesi, nuk ishte plotësisht e lirë, pasi ato duhej të vendosesin në tribuna të përcaktuara dhe të shoqëruara nga familjarë. Liria e dhënë pra, nuk ishte e plotë, dhe kjo shkaktoi polemika që përpara luajtjes së ndeshjes. Nga Italia pati thirrje për të mos e luajtur finalen në Arabinë Saudite, apo iu bë ftesë tifozëve që të mos e ndiqnin direkt në televizor.

Gjithsesi, pati edhe reagime më pozitive, që theksuan se ky është një hap përpara për vendin konservator të Lindjes së Mesme, dhe arsyetuan se traditat shekullore nuk mund të ndryshohen brenda pak kohëve. Përveç lejimit në stadium, Arabia Saudite hoqi edhe ndalimin ndaj vajzave e grave për të drejtuar makinat, vendi i fundit në botë që e bëri një gjë të tillë./abcnews.al