Greqi, qeveria merr votëbesimin. Tsipras “mbijeton” me 151 vota pro

schedule22:21 - 16 Janar, 2019

schedule 22:21 - 16 Janar, 2019

Aleksis Tsipras i ka mbijetuar votëbesimit në Parlament, i mbajtur pas braktisjes së koalicionit qeverisës nga Grekët e Pavarur. Me 3 vota më shumë, Tsipras do të mund të udhëheqë mazhorancën helene deri në fund të mandatit, me shpresë për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Me 151 vota pro, qeveria greke e Aleksis Tsipras i mbijetoi votëbesimit në Parlament, i përfshirë prej dy ditësh në debate mbi marrëveshjen e Prespës. Me deputetët e partisë Syriza u bashkuan edhe 6 ligjvënës të tjerë, 4 prej të cilëve të pavarur dhe 2 nga Aleanca Patriotike Kombëtare, që votuan pro qeverisë. Ndërkohë, votat kundër ishin 148. Menjëherë pas votimit, në një bashkëbisedim me mediat, kryeministri Tsipras u shpreh se Parlamenti votoi në favor të stabilitetit. “Votoi një qeveri që e ka ndryshuar Greqinë dhe që do të vazhdojë punën deri në përfundim të mandatit të saj”, deklaroi Tsipras. Votëbesimi i ekzekutivit erdhi pasi pak ditë më parë partia Grekët e Pavarur, e udhëhequr nga Panos Kamenos njoftoi largimin nga koalicioni për shkak të përplasjeve me Syrizën mbi marrëveshjen që i jep fqinjit të Greqisë emrin Maqedonia e Veriut. Duke njoftuar dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes, Kamenos tha se për hir të interesit kombëtar nuk mund të mos e flijonte postin e tij. Gjatë seancës nuk munguan përplasjet mes kryeministrit Tsipras dhe liderit të opozitës, Qirjakos Micotaqis. Tsipras mbrojti lëvizjet e tij duke nënvizuar se, dilemat që Greqia ka përpara kërkojnë zgjidhje të qarta.