Osmani: Procesi i rindërtimit nuk u vonua nga pandemia, qeveria u fokusua te shkollat

schedule21:40 - 17 Nëntor, 2021

schedule 21:40 - 17 Nëntor, 2021

Kreshnik Osmani, kryetar i Partisë Atdheu, deklaroi në studion e emisionit “Bardh a Zi” në ABC se nga 30 pallate të dëmtuara nga tërmeti në Durrës kanë nisur të ndërtohen vetëm 9 ose 10 prej tyre. Ai deklaroi se shkak i vonesës nuk është bërë vetëm pandemia por edhe tendenca për abuzime. Osmani theksoi se pallatet janë lënë pas pasi qeveria është fokusuar te ndërtimi i shkollave.

“Në Durrës janë rrafshuar 30 pallate. Janë edhe 5 shkolla të dëmtuara. Një vit pas rënies së tërmetit nuk kanë filluar ndërtimet veçse në katër sheshe. Deri më tani kanë filluar ndërtimet në 9 ose 10 sheshe. Rindërtimi që ka filluar me kaq ngadalësi ndodh me një zv/ministër të qeverisë dhe një personazhi që është në një detyrë të lartë në bashki.

Nuk është çështja vetëm te pandemia. Ka disa kalkulime në lidhje me nevojën për të abuzuar. Janë lënë pas pallatet dhe qeveria është fokusuar te ndërtimi i shkollave. Nga 5 shkolla të dëmtuara”, tha ai.

Gazetari Bardh Sejdarasi tha se ndërtimin e shkollave nuk e ka marrë përsipër qeveria shqiptare, por fondi i Bashkimit Europian. Ndërkohë vonesën ai e lidhi me vonesën e procedurës së tenderimit.

“Ndërtimin e shkollave nuk e ka marrë përsipër qeveria shqiptare por është fondi i Bashkimit Europian. 321 institucione arsimore janë të dëmtuar gjithsej. BE mori përsipër të ndërtonte shkollat, çerdhet dhe kopshtet. Nuk u ndërtua asgjë me fondet e qeverisë shqiptare. Vonesa ishte për shkak të procedurës së tenderimit. U hartuan projektet”, u shpreh Sejdarasi.

Lidhur me procesin e rindërtimit në Tiranë, nënkryetarja e kësaj bashkie Anisa Ruseti deklaroi se janë rikonstruktuar 4 shkolla dhe janë ndërtuar nga e para 6 të tjera nga 24 të dëmtuara në total. “Nga 24 institucione të dëmtuara në Tiranë janë rikonstruktuar 4 prej tyre ndërkohë që 6 të tjera janë ndërtuar nga e para”, deklaroi ajo.