Arsimimi i fëmijëve/ Nano: Ju tregoj Titin, heroin e kohëve të sotme

schedule20:10 - 15 Janar, 2019

schedule 20:10 - 15 Janar, 2019

Monologu i kësaj të marte i Mustafa Nanos në Provokacija u përqëndrua në sakrificën e dy prindërve për të arsimuar fëmijët e tyre. Me personazhe reale (Titin dhe bashkëshorten e tij) që shesin në tezga, Nano na sjell një situatë patetike siç e quan ai, pasi këta prindër sakrifikojnë për pasionin e fëmijës dhe jo për atë investim që nesër mund t’u kthehet mbrapsht. Nanos i ka lënë mbresa që Titi dhe bashkëshortja e tij punojnë dhe sakrifikojnë për vajzën që studion pikturë në Akademinë e Arteve dhe djalin që studion në një shkollë të mesme profesionale. Dhe në këtë këndvështrim Mustafa Nano u bën apel kolegëve të tij që të shkruajnë sa më shumë për njerëz si Titi dhe të mos jenë indiferentë ndaj njerëzve të tillë. “Këta janë heronjtë e kohëve që po jetojmë, heronjtë e kësaj Shqipërie, në të cilën të gjithë rendin pas pasurimit të shpejtë e të kollajtë’’ thekson Mustafa Nano.

Monologu i plotë i Mustafa Nanos

Pranë shtëpisë sime, në cepin e një rrugice, ndodhet një tezgë fruta perimesh. Ja, shiheni në ekran. “Tezga e Titit” e quajnë, duke e pagëzuar kështu me emrin e të zotit të tezgës. Janë të shumtë njerëzit që ndalin aty, s’ka gjë se disa dhjetra metra më tutje, në një rrugë kryesore, janë ca tezga më të mëdha, që ofertën e kanë më të shumëllojshme.

Titi është tiranas. Tirons. Është i urtë. Në kuptimin që nuk i ndihet zëri. Është edhe punëtor. Mbush makinën me mall që në orët e para të mëngjesit, dhe e sheh aty, te tezga, deri në orët e vona të mbrëmjes, duke u alternuar me të shoqen, që është tiranse gjithashtu. Në këtë fotografi që kam shkrepur mçeftas (shpresoj të mos fyhen prej kësaj “pabesie”) duket vetëm kjo e fundit. Me sa duket, Titi është duke bërë një sy gjumë në shtëpi, ose është duke bërë ndonjë furnizim. Sepse unë, në fakt, e kam parë të flejë gjatë ditës brenda në makinën e tij, që e parkon ngjitur me tezgën e vet. Në verë i mban dyert e makinës të hapura, në mënyrë që të mbrohet nga vapa. Ndërsa në dimër, makinën e mban të mbyllur, dhe vetë mbështillet mirë me ndonjë pallto, që të mbrohet prej të ftohtit.

Nuk është se këtë sakrificë e bëjnë për të bërë lekë, që t’i kenë për një ditë të keqe, nëse një ditë e keqe u vjen, që mos u ardhtë kurrë. Jo, e bëjnë për t’u dhënë mundësinë dy fëmijëve që të studjojnë e të marrin dije a profesion. E bëjnë që t’u paguajnë shkollën djalit që studjon në një shkollë të mesme profesionale dhe vajzës që studjon në Akademinë e Arteve për pikturë. Thashë pikturë. Mos mendoni se ua dëgjoi veshi gabim. Për pikturë. Dhe është kjo që më ka bërë më së shumti përshtypje. Prindër që sakrifikojnë për t’u dhënë shkollë fëmijëve gjen sa të duash. Madje, për një gjë të tillë shqiptarët janë shquar qysh në krye të herës. Arsimimi i fëmijëve ka qenë një ambicje e madhe e prindërve. Shpesh, sa më të varfër të kenë qenë prindërit, aq më të madhe e kanë patur ambicjen për të arsimuar fëmijët. Ndoshta kjo ka qenë edhe një përpjekje, a shpresë, për t’i ikur statusit të përunjur që ata kanë patur. Për t’i ikur këtij statusi edhe në terma ekonomikë. Sidomos në terma ekonomikë. Por ky nuk është tamam rasti i Titit dhe i së shoqes. Këta të fundit nuk kanë bërë llogarirat që bëjnë prindërit në rrethana të tilla, dmth: “unë po sakrifikoj e investoj tani në mënyrë që fëmijët nesër të ma kthejnë mbrapsht këtë investim”. Sepse dikush që studjon për pikturë, për letërsi, dramë, e arte të tjera, sidomos në Shqipëri, asnjëherë nuk ecën me mendjen se suksesin e ka të sigurtë, dhe për rrjedhojë, ka të sigurtë mbijetesën apo një jetesë normale e pa kokëçarje. Dhe kështu i bie që Titi, tok me të shoqen, po investojnë për një pasion të vajzës së tyre. Nuk është se po e përjashtoj suksesin e saj, të kuptohemi. Madje, e uroj me gjithë fuqinë e zemrës. Por unë jam i sigurtë se edhe vetë ajo duhet ta ketë futur në preventiv situatën, në të cilën ky pasion i vetë të mos i japë sukses, dhe bukë. “Bukë” – ky është emri që ne shqiptarët i japim mirëqënies.

Unë jam i sigurtë se në Tiranë, apo edhe në Shqipëri, duhet të ketë me mijra prindër që bëjnë të njëjtën sakrificë, që do të thotë që ngrihen pa gdhirë dhe bjenë në gjumë të dërrmuar, në mënyrë që të nesërmen të ngrihen pa gdhirë e të flejnë sërish të dërrmuar, e kështu me radhë. Këta janë heronjtë e kohëve që po jetojmë, heronjtë e kësaj Shqipërie, në të cilën të gjithë rendin pas pasurimit të shpejtë e të kollajtë.

Ju duket patetike kjo që thashë? Ok, ndoshta është patetike. Dhe nëse është patetike, atëherë po ju them se ne kemi nevojë që herë pas here të jemi patetikë. Nëse patetike do të thotë të mos mbetesh indiferent përballë shqiptarëve të tillë, atëherë unë do t’i ftoja të gjithë kolegët e mij që të bëhen patetikë. E të shkruajnë për Titin. E për Titat e këtij vendi. Sikur të mos ekzistonin Titat, ky vend do të ishte … unë nuk e di se ç’vend do të ishte. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!