8 qendra shëndetësore në plazhet e Vlorës, probleme me alergjitë dhe insektet

schedule13:40 - 3 Korrik, 2019

schedule 13:40 - 3 Korrik, 2019

Qendrat shëndetësore në plazhet e Vlorës janë kompletuar me medikamente shëndetësore dhe me personel. Këto ditë të nxehta shumë pushues kanë probleme me alergjitë dhe me insektet.

Me ngritjen e temperaturave kanë nisur dhe problemet shëndetësore për pushuesit në bregdet. Pranë qendrave çdo ditë paraqiten plazhistë të djegur nga rrezet ose të infektuar nga pickimet e insekteve.

“Sidomos pickimet e insekteve, alergjitë nga diellit, rastet e krizave hipertensive kryesisht tek moshat e treta ndodhin shpesh, kemi raste dehidrime , kemi dhe djegiet e diellit që janë nga ekspozimi i shtuar në orët problematike që janë ora 11:00 deri në 15:30”.

Nga Zvërneci deri në Qeparo funksionojnë tetë qendra shëndetësore. Ato kanë mjete që qarkullojnë në gjithë bregdetin e Vlorës. Të plotësuar me logjistikë e medikamente, japin ndihmë edhe rasteve të rënda, si në urgjencën e spitalit.

“Stafi në Qendrën Shëndetësore Plazh i Vjetër është dy mjekë dhe dy infermierë që funksionojnë të alternuar, por kjo varet nga fluksi që ka qendra shëndetësore, ku disa qendra funksionojnë me një mjek dhe një infermier dhe qendrat e tjera me 3 mjekë dhe 3 infermierë”

Jo vetëm në Vlorë, por në të gjitha plazhet e vendit, pushuesve do t’u vihet në ndihmë deri në fund të sezonit. Aktualisht qendrat shëndetësore në Zvërnec, Plazhin e vjetër, Orikum, Rradhimë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë edhe Qeparo janë në funksion me kapacitet të plotë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!