8 orë në gjykatë, Tahiri: Tani shkojmë në gjykim

schedule18:03 - 26 Mars, 2019

schedule 18:03 - 26 Mars, 2019

Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë të pandehur për trafik ndërkombëtar droge ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi për kalimin në gjykim të dosjes me 57 fashikuj u mor sot pas një seance maratone. Tahiri tha jashtë gjykatës se do të provojë pafajësinë e tij dhe mbetet ende ministri kampion.

Saimir Tahiri do të shkojë në  Gjykatën e Krimeve të Rënda si i pandehur për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Gati një muaj pas mbylljes së hetimit nga Prokuroria, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që një “mal” me  dosje të organit të akuzës në ngarkim të ish- ministrit, të kalojnë në proces gjyqësor. Vetë Tahiri ka kërkuar gjykim të shkurtuar në gjendjen aktuale të akteve të hetimit, por pa pranuar fajësinë.

Seanca maratonë, e drejtuar nga gjyqtarja Miliana Muça,  zgjati rreth 8 orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Por burime brenda sallës së gjyqit treguan për debate të shumta që janë zhvilluar në seancë. Ish- ministri Tahiri nuk pranon akuzat e Prokurorisë dhe gjatë seancës ka kërkuar shpjegime për secilën prej tyre.

Pas seancës Sajmir Tahiri tha se tashmë i ka ardhur radha atij të flasë. Ish-ministri i Brendshëm nuk nguroi të shprehe edhe pakënaqësi ndaj sistemit të drejtësisë. Tahiri ka bindjet se kjo e keqe i erdhi nga politika, dhe sërish e quan veten ministri kampion.

Sajmir Tahiri do të gjykohet për 3 akuza “trafikim lëndësh narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” ,“Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “ kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Në seancën paraprake gjyqtarja Miliana Muça pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar edhe për Jaeld Çelën. Ndërsa  avokatët që përfaqësonin Sokol Boden dhe Gjergji Kohilën nuk ishin autorizuar nga klientët e tyre për të bërë një kërkesë të tillë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!