Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore “Qyteti i Nxënësve” një thirrje të dedikuar ia drejtoi të gjitha zonjave.
Në ditën e festës së gruas, apeli i ministres së shëndetësisë ogerta Manastirliu iu drejtua pikërisht atyre. Nga qendra shëndetësore “Qyteti i Nxënësve” Manastirliu ftoi gratë dhe vajzat të përfitojnë nga shërbimet parandaluese falas.
“Si asnjëherë më parë, programet parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të grave janë në fokus të politikave tona shëndetësore. Ndaj, gjej rastin të ftoj për çdo grua, të gjejë pak kohë për t’u kujdesur për shëndetin e saj. Kryeni kontrollin mjekësor bazë, testin falas për depistimin e kancerit të qafës së mitrës dhe mamografinë falas”.
Sipas njoftimit nga zyra e medias pranë ministrisë, kjo qendër shëndetësore e rehabilituar ofron shërbim të ri për 8900 banorët e zonës së Kombinatit.
“Jam shumë e kënaqur që vijojmë me përmirësimin e kushteve në kujdesin parësor, ku vetëm në Tiranë ka përfunduar rehabilitimi i 14 qendrave shëndetësore, pjesë e programit të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin”. /abcnews.al