Ditën e djeshme në Kosovë u regjistruan 79 raste të reja me koronavirus, një shifër relativisht shumë e lartë. Në një intervistë për Abc News, mjeku Valbon Krasniqi, shefi i Klinikës Infektive në Prishtinë, foli për këtë situatë.
Sipas tij numri i lartë i të infektuarve që u regjistrua dje ka të bëjë me ecurinë e Pandemisë, por edhe të mos zbatimit të masave nga ana e qytetarëve.
Për këtë mjeku bëri thirrje për ndërgjegjësim, ndërkohë që shtoi se piku në Kosovë mund të arrihet në gjysmën e prillit.
Pjesë nga intervista:
Janë konfirmuar 79 raste të reja me Covid-19 në Kosovë. Pse kjo shifër?
Në fakt është një ecuri e zakonshme e epidemisë, ajo që kemi parë edhe në shtetet e tjera që kanë ndodhur. Të gjitha shtetet kanë arritur këtë kulm diku në mes të javës së 3 dhe 4. Ne jemi në javën e pestë dhe është një gjë e pritshme, ka të bëjë me ecurinë e pandemisë. Por edhe rezultat i moszbatimit të masave.
Si janë masat parandaluese në Kosovë?
Nëse i kthehemi rrjedhës kronologjike, ato më kryesoret janë në 12 mars ku u mbyllën shkollat. Pas datës 20 mars u morën masat e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve. Ndërkohë në komunat ku kishim rastet e para u futën në karantinë. Ndërsa tani 7 qytete janë në karantinë, pra masat kanë ardhur në vazhdimësi.
I respektojnë qytetarët këto masa?
Nuk jemi të kënaqur me respektimin e këtyre masave. Kemi thënë nuk ka asnjë shtet në botë dhe as Kosova mundësi që secilit qytetari ti angazhojmë një polic. Prandaj mënyra më e mirë është ndërgjegjësimi. Kemi një rritje të tillë si rezultat i mosrespektimit të masave gjatë 10 ditëve.
Nga 79 raste, 35 janë në Ferizaj, pse kjo shifër?
Atje kemi një përhapje të infeksionit brenda një kolektivi, nga persona që kanë punuar në një organizatë
Sa i përket pacientëve, si paraqitet gjendja?
Kemi 53 pacientë, 46 të stabilizuar dhe 4 në gjendje të rëndë.
Si i trajtoni pacientët e shtruar?
Ata me simptoma të lehta trajtohen me terapi mbështetëse. Ata që kanë ndërlikime i vendosim në protokollin që po e zbatojnë disa shtete të Evropës.
Për testimet ka debat në Shqipëri, si po veprohet, po kryhet testim masive në Kosovë?
Në Kosovë tri grupe janë duke u testuar: të gjithë pacientët që shtrohen në klinikë testohen. Grupi i dytë janë personat e karantinuar dhe grupi i tretë janë personat që testohen në terren dhe kryesisht janë anëtarët e kontaktit të ngushtë. Janë këto tri grupe. Ditët e fundit është rritur numri i të testuarve.
Kosova ka 362 persona të prekur, në një popullsi 1.8 milion banorë, si e komentoni?
Ky është numri i vetëm atyre që janë konfirmuar ndërsa ne mendojmë se mund të ketë edhe raste të tjera. Ne duhet të fokusohemi shumë te pacientët që manifestojnë sëmundjen.
Sa është mosha mesatare e të prekurve?
Nuk kam shënime te sakta. Në klinikë vërehet se janë të prekur të gjitha moshat. Për fat të mirë kemi pasur të shëruar edhe persona të moshuar.
Kur mund të arrihet piku?
Ne kemi thënë që gjysma e prillit mund të jetë koha që arrihet piku dhe trendi është duke shkuar drejt saj. Është shumë me rëndësi që qytetarët ta kuptojnë seriozitetin dhe normalisht do të varet edhe nga numri i testimeve. /abcnews.al