Një ditë pasi Partia Demokratike, përmes deputetes Grida Duma, komentoi të dhënat e Eurobarometrit 2018, Ministria e Financave publikoi këto të dhëna. Sipas sondazhit të Komisionit Europian, rreth 62% e shqiptarëve vlerësojnë pozitivisht situatën financiare të familjes së tyre.
Si e vlerësoni situatën financiare të familjes suaj?
Kjo pyetje e Eurobarometrit të këtij viti i është drejtuar 1 mijë e 48 qytetarëve në vendin tonë.
Rreth 62% e të intervistuarve i janë përgjigjur pozitivisht.
Mendim të tillë në vitin 2014 kur sonadazhi i Komisionit Europian është zhvilluar për herë të parë në Shqipëri kanë ndarë rreth 53% e qytetarëve.
Sa i takon situatës personale të punësimit, mendim pozitiv kanë ndarë 57% e të intervistuarve.
Ndjesitë për gjendjen ekonomike kanë ardhur në përmirësim gradual. Ata që shprehen se situata ekonomike e vendit është “shumë e keqe” është ulur në 7.44% në sondazhin e fundit nga 35.5 % që ishin në të parin.
Ndërsa ata që e konsiderojnë gjendjen e ekonomisë si “pozitive” ka kaluar nga 27.6% në 48.8%.
Ndërkohë 50% e të intervistuarve në Shqipëri shpresojnë se punësimi do të përmirësohet përgjatë vitit të ardhshëm.
Një ditë më parë deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma deklaroi se shqiptarët në gjendje të keqe ekonomike nga viti 2017 në vitin 2018 janë shtuar me 245 mijë persona. Ndër shkaktarët e kësaj situate deputetja e opozitës renditi rënien ekonomike, papunësinë dhe korrupsionin. /abcnews.al