613 kg kokainë, zbardhen dëshmitë e të arrestuarve

schedule12:29 - 6 Mars, 2018

schedule 12:29 - 6 Mars, 2018

Kontenieri i bananeve, ku ishte fshehur sasia prej 613 kilogramë kokainë kolumbiane, ka ardhur me dy javë vonesë në portin e Durrësit, për shkak të një inspektimi që i është bërë nga autoritetet portuale të Livornos në Itali. Ky fakt është bërë prezent para oficerëve të Policisë Gjyqësore të Krimeve të Rënda nga Donaldo Lushaj, menaxheri i “Arbri Garden”, i arrestuar si i përfshirë në trafik.

ABC News zbardh dëshminë e dhënë nga Lushaj dhe i arrestuari tjetër, Armando Pezaku, të cilët mohojnë çdo lidhje me kokainë.

“Jam punësuar në kompaninë ‘Arbri Garden’ 4 vjet më parë. Detyra ime funksionale në kompani është menaxhimi i mallit dhe koordinimi i agjentëve të shitjes. Porositë në vendet e Amerikës Latine i bën Arbri Çekaj 25-30 ditë para ardhjes së mallit. Ngarkesat i marrim kryesisht në Kolumbi, Ekuador dhe në Argjentinë”.

Në lidhje me kontenierin, ku u gjet sasia prej 613 kilogramë kokainë, Donaldo Lushaj ka rrëfyer se kjo ngarkesë ka vonuar dy javë.

“Ngarkesa e fundit ka ardhur me dy javë vonesë. Mesa kam dijeni gjatë kësaj kohe i është nënshtruar inspektimit në Livorno, Itali.
Unë telefonuar nga agjenti doganor A.M. në Durrës, i cili më ka thënë se kontenieri ka dalë me shenjë të kuqe në skaner dhe për këtë duhet t’i nënshtrohej kontrollit. U bënë procedurat shkresore të nevojshme dhe të gjitha arkat me banane janë ulur në tokë”.

Sipas tij, në përfundim të procedurës, arkat janë ringarkuar dhe janë ringarkuar dhe kontenieri është dërguar drejt magazinës në Maminas.
Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit të imtësishëm të kontenierit në portin e Durrësit pas pikasjes nga skaneri, në anën e djathtë të tij janë krijuar dyshime për ndërhyrje në dysheme. Pas këtij momenti, agjentët e hetimit doganor kanë shpuar me punto dyshemenë, duke faktuar kështu praninë e kokainës. Megjithatë, ky fakt nuk iu është bërë prezent përfaqësuesve të “Arbri Garden”, duke i lënë të merrnin mallin, por duke mbajtur në mbiëkqyrje policore lëvizjet e kamionit.

Qëndrim mohues për përfshirjen në trafik ka mbajtur edhe i arrestuari tjetër, shoferi Armando Pezaku.

“Nuk kisha dijeni fare për drogën në kontenier. Kam disa muaj që punoj në kompani dhe tranporti i trailerit me banane ishte një rrugë rutinë”, ka pohuar ai.

Në lidhje me një frazë të shënuar në Facebook-un e tij “iu çoj miell partizanëve”, Pezaku ka sqarur se nuk lidhej me asgjë dhe se thuajse nuk e përdorte llogarinë e tij.

Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku po hetohen në masën e sigurisë “arrest në burg”. Ata e kanë ankimuar këtë masë në Apel, ku kërkojnë lirim nga qelitë e paraburgimit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!