613 kg kokainë, gjykim të shkurtuar për Çekajn dhe dy të pandehurit e tjerë

schedule12:02 - 30 Shtator, 2019

schedule 12:02 - 30 Shtator, 2019

Gjykata për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj 3 personave nën hetim për trafikun e 613 kilogramëve kokainë. Arbër Çekaj u shfaq për herë të parë në krah të dy vartësve të tij, brenda kafazit të xhamtë. Në seancën e radhës, prokuroria për krime të rënda do të lexojë konkluzionet përfundimtare.

Tre të pandehurit e akuzuar për trafikun e 613 kilogramëve kokainë, Arber Çekaj, Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj, do të gjykohen me proceduara të shkurtuara. Vendimin e mori këtë të hënë Gjykata e Krimeve të Rënda, pas nisjes së procesit gjyqësorë.

Kërkesës për gjykim të shkurtuar ishte bërë nga  pala mbrojtëse, në seancën paraprake. Në rast se tre të pandehurit shpallen fajtorë nga gjykata atyre u ulet 1/3 e dënimit. Në sallën e gjyqit u shfaq për herë të parë së bashku me dy të pandehurit e tjerë edhe Arbër Çekaj, i ekstraduar nga Gjermania pak ditë më parë.

Gjykata e Dyseldorfit vendosi pro ekstradimit në vendin tonë të Çekaj dhe i rrëzoi kërkesën për azil. Sipas prokurorisë, Çekaj kishte rolin e garantuesit të transportit, ndërsa Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj ishin të besuarit e tij për tërheqjen e drogës nga porti i Durrësit.

Avokatët kanë kërkuar prova konkrete në lidhje me implikimin e tyre në ngjarje, pasi pretendohet se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Mbi tre të arrestuarit rëndon akuza e “Trafikimit të lëndëve narkotike”, “ Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sasia rekord e kokainës në vendin tonë u bllokuara në Shkurt të vitit të shkuar në Portin e Durrësit, brenda kontenierëve me banane në pronësi të kompanisë “Arbi Garden”. Në seancën e radhës me 15 Tetor, Prokuroria për Krime të Rënda do të japë konkluzionet përfundimtare.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!