Prej disa ditësh një 54 vjeçar nga Fieri është shpallur i zhdukur. Policia po kërkon Nazmi Goxhajn, por ende kërkimet nuk kanë dhënë rezultate. Ai humbi kontaktet me familjarët vetëm një ditë pasi ishte kthyer nga Athina në shtëpi. Familjarët e Goxhajt dyshojnë se i afërmi i tyre është mbytur në ujërat e lumit Seman.
Nga Holanda ka ardhur në Patos për të gjetur babain e tij të zhdukur. Erges Goxhaj u njoftua nga familjarët e tij që kur 54 Nazmi Goxhaj shkëputi kontaktet 10 ditë më parë. I riu nuk beson që prindi i tij ka vrarë veten.
I biri Erges Goxhaj: “Ai person nuk e vriste veten, nuk hidhej ai nga ura të vriste veten, unë për Nazmi Goxhaj jap jetën se nuk e vriste veten ai, se ishte mirë me shtëpi me toka në Greqi me qira, unë në Hollandë me punë, vëllai i vogël në Athinë në spital. Kemi bërë denoncim në polici dhe ata bëjnë punën e tyre, po kanë kaluar 9 ditë, dua të gjej trupin e babait tim”.
Goxhaj ishte kthyer nga Greqia bashkë me gruan e tij. Por bashkëshortja ka qëndruar në shtëpinë e prindërve të saj. Ditën tjetër herët në mëngjes u largua pa lajmëruar. Ai kishte marrë me vete vetëm 100 euro.
Pas denoncimit në polici, banorë të zonës së Semanit afruan një dëshmi. Ata kishin parë një burrë që po mbytej në lumin Seman. Por nuk kanë mundur t’i japin ndihmë.
Policia vendore kërkoi edhe ndihmën e polumbarëve të RENEA-s për kërkime në Seman. Në të njëjtën kohë foto e Goxhajt është shpërndarë në të gjitha komisariatet. Policia vetë nuk ka një variant zyrtar çfarë ka ndodhur me 54 vjeçarin. Për këtë qëllim po hetohet në disa drejtime, atë të zhdukjes si pasojë e ndonjë krimi, të vetëvrasjes, por edhe të mbytjes në Seman. /abcnews.al